Arbëri

Kurteshi: KQZ-ja po e pengon me forma absurde të drejtën e votës në Kosovë

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kritikuar KQZ-në se po e pengon me forma absurde të drejtën e votës në Kosovë.

Kurteshi, që vet është anëtar i KQZ-së, ka folur për mosmbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë.

“Po flasim për absurdin e demokracisë në Kosovë. Ajo çka është duke ngjarë në KQZ është e kundërta që duhej të ngjante sipas ligjit. Ne kemi lëndën në Kushtetuese e cila po hesht dhe nuk po e jep verdiktin e saj. Ne 5 herë e kemi ngrit çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në këto komuna dhe të pesë herët është votuar kundër nga përfaqësuesit e partive tjera, jo vetëm për t'u mbajt por edhe për ta futur në rend të ditën. Ata këtë po e bëjnë me arsye banale dhe bashkë me kryesuesen e KQZ-së. Ne javën e kaluar i kemi dërguar letër z. Naser Ramadani të IKSHKP-së për rivlerësim të situatës epidemiologjike se a mund të mbahej zgjedhjet në Podujevë. Vendet e rajonit kanë pasur zgjedhje bile edhe në petkun e pandemisë dhe nuk kemi asnjë të dhënë se mbajtja e zgjedhjeve në cilindo vend të botës mund të ndikojë në rritjen e rasteve me Covid-19. Zgjedhjet janë shty pa afat që është krejtësisht jokushtetuese. KQZ-ja po e pengon me forma absurde të drejtën e votës në Kosovë. Ajo me veprimet e veta e ka humb kuptimin e ekzistencës së vet. Atje bëhet çdo përpjekje që e drejta për votim të mohohet në çdo formë të mundshme”, ka thënë Kurteshi në konferencë për media.

Kurteshi po ashtu ka folur në lidhje me një aplikacion që ka pasur për detyrë ta bëjë sekretariati i KQZ-së për lehtësimin e votimit për mërgimtarët. Ai ka thënë se kur vjen çështja e këtij aplikacioni, PDK-ja e LDK-ja thonë kinse ky aplikacion prish integritetin e votës.

“Sekretariati ka pasë për detyrë ta bëjë një aplikacion që t'ia lehtësojë votimin mërgimtarëve. Por kur vjen te zhvillimi i aplikacionit KQZ-ja thotë jo, e PDK e LDK thonë jo se kinse me aplikacion elektronik prishet integriteti i votës. E kush po na flet për integritet, LDK e PDK. Aplikacioni elektronik pengon çdo mundësi të dyfishimit të votës sepse njëherë jepet nr. personal. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me Raportin e Progresit lidhur me opinionin e tyre për zgjedhjet. Të gjitha çështjet që përmenden ath ne i kemi ngritur në KQZ dhe kundër të gjitha këtyre është votuar kundër. KQZ-ja kur bëhet fjalë për votim bëhet mashë e këtyre partive”, ka shtuar Kurteshi.