Një varg shkeljesh ka evidentuar Auditori i Brendshëm në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës lidhur me dy kontrata për furnizim me vaksina për kafshë. Në raportin për 2023-tën ka ngritur shqetësim për rrezikim të shëndetit të kafshëve, e njëkohësisht ka ngritur dyshimet për përshtatje të kritereve të tenderit për kompani që në të kaluarën është konstatuar se janë të papërgjegjshme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dyshohet se i përshtati kriteret e dy tenderëve për furnizim me vaksina, në vlerë afro 334 mijë euro.
Sipas një raporti të Auditorit të Brendshëm në këtë institucion, AUV ka anashkaluar kriterin që operatorët ekonomikë të jenë të pajisur me certifikata të Autorizim Marketingut për Produkte Medicinale Veterinare, duke u mjaftuar vetëm me aplikim për t’u pajisur me të.
Përveç kësaj, pak pas fitimit të tenderit, operatorit ekonomik “Mala Farm” i ka skaduar edhe licenca për import dhe shpërndarje të produkteve medicinale/veterinare, gjë që ka ndikuar që programi i vaksinimit në terren të mos zbatohet.
“Gjatë ekzaminimit të dosjes së operatorit ekonomik ‘KEIS’ dhe ‘SH.P. K Malë Mala’ (Mala Farm), të cilët janë shpërblyer me kontratë për furnizim me vaksina, është konstatuar se nuk posedojnë certifikatë të marketingut për të kontraktuar. Kjo do të thotë se AUV-i ka kontraktuar produktet medicinale veterinare nga një operator ekonomik, i cili nuk mund të garantojë cilësi dhe siguri të produkteve sipas standardeve AUV-it”, thuhet në raport.
Në këtë dokument theksohet se në kriterin mbi mundësitë teknike ose profesionale është përcaktuar që operatori ekonomik duhet vetëm të ketë aplikuar në AUV për Certifikatën e Autorizim Marketingut të Produkteve Medicinale Veterinare.
“Dorëzimi i aplikacionit për t’u pajisur me Certifikatë autorizim marketing të Produkteve Medicinale Veterinare nuk nënkupton domosdoshmërisht se subjekti në fjalë do të pajiset me certifikatë autorizim marketing për produktet për të cilat ka aplikuar”, thuhet në raport.
Auditori konstaton se kriteri për përshtatshmërinë profesionale përcaktuar në specifikat e tenderit nuk është adekuat dhe si i tillë rrezikon realizimin e projektit, përkatësisht, furnizimin me vaksina sipas kontratës së nënshkruar.
“Kriteri në fjalë kërkon nga ofertuesit që të dorëzojnë licencë/leje për import dhe shpërndarje të produkteve medicinale/veterinare duke injoruar validitetin e licencës në fjalë. Në rastin e OE ‘Mala Farm’, i cili është shpërblyer me kontratë kornizë për furnizim me vaksina, ende pa e përmbushur kërkesën e parë për furnizim me vaksina, validiteti i licencës/lejes për import tashmë i ka skaduar më 6 maj 2023. Kjo do të thotë që OE ‘Mala Farm’ nuk ka të drejtë ligjore të importojë dhe të shpërndajë vaksinat për të cilat është kontraktuar nga AUV-i”, thuhet në raport.
Edhe në një raport të vitit të kaluar që e posedon KOHA, Auditori ka ngritur dyshime për kurdisje të tenderit “Furnizim me numra identifikues për kafshë”, në vlerë gjysmë milioni euro, e të cilin tender e ka fituar kompania e njëjtë “Mala Farma”.
Sipas tij, tri nga 6 kritere rezultojnë të jenë specifike.
“Kriteri 2.1 apo origjina e matrikullit/numrit identifikues mund të arsyetohet deri në një nivel. Sidoqoftë, kriteret 2.2 dhe 2.3 janë skajshmërisht kufizuese dhe të panevojshme dhe si të tilla nuk kanë lejuar hapësirë meritore konkurrimi në mes të OE-ve. Në dosjen e tenderit vërehet se dosja është shkarkuar 69 herë dhe në fund në këtë tender në vlerë relativisht të lartë ka aplikuar vetëm OE ‘Mala Farm’ i cili edhe është shpërblyer me kontratë”, thuhet në raport.
Aty ngrihen dyshimet edhe për dokumentet e ofruara nga kompania.
“OE ‘Mala Farm’ për të përmbushur 3 kriteret e lartpërmendura ka dorëzuar në Agjenci dokumente në gjuhën frënge dhe rumune – gjuhë të cilat nuk janë zyrtare në Republikën e Kosovës. Po ashtu këto dokumente datojnë që nga viti 2003 dhe 2006. Komisioni vlerësues nuk ka ofruar dëshmi të njohjes së këtyre gjuhëve. Edhe përkundër faktit se asnjëri nga anëtarët e komisionit nuk e ka kuptuar përmbajtjen e dokumenteve, i kanë pranuar si të mirëqena këto dokumente dhe kanë konkluduar/vlerësuar se kriteret e tenderit janë përmbushur nga OE ‘Mala Farm’”, thuhet në raportin e auditorit për vitin 2022.
Sipas tij, edhe pse dokumentet nuk kanë qenë në gjuhët zyrtare që përdoren në Kosovë, e as nuk janë përkthyer, nuk mund të konkludohet se OE “Mala Farm” i ka përmbushur kriteret e tenderit me të cilin është shpërblyer.
“Kontrata për furnizim me numra identifikues e planifikuar për implementim për një periudhe 3-vjeçare është shpenzuar 85 për qind brenda 10 muajve! Shpenzimi i më shumë se gjysmës së vlerës së përgjithshme të kontratës trevjeçare brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore është tregues serioz i mosplanifikimit të rrjedhës së dinamikës së shpenzimit të buxhetit për projektin trevjeçar”, theksohet në raport.
Aty ngrihen dyshime edhe për mbivlerësim të artikujve.
“Vlera e përgjithshme e kontratës me numra identifikues të kafshëve është 494,700 euro. Sidoqoftë, nëse njësohet vlera e 5 artikujve të prezantuar në kontratë për blerje 239,700 +196,000 + 5,700 + 30,000 + 4,000 = 475,400; 494,700 - 475,400 =+19,300 euro është mbivlerësuar totali i përgjithshëm i kontratës”, thekson raporti.
E nga menaxhmenti i AUV-it nuk kanë pranuar që të flasin për gjetjet e auditorit, duke thënë se për të gjitha këto janë komentet e tyre në Raportin e Auditorit të Brendshëm.
“Nga KRPP-ja dhe nga OSHP-ja është konstatuar se nuk ka diskriminim në specifikacionet teknike dhe kushtet kualifikuese. Po ashtu sipas informatave që ka sektori i I&R ka shumë kompani evropiane të cilat janë të regjistruara dhe aprovuara në Institucionin e Standardeve Globale për të dhënat e kafshëve – ICAR. Pra ka shumë kompani në BE që prodhojnë dhe shesin numra në vende të ndryshme të botës dhe Evropës. Gjithashtu vendimet e OSHP-së janë të obligueshme për autoritetet kontraktuese”, thuhet në raport.
Por, sipas Auditorit, kriteret për tri vende të BE-së që të jenë të aprovuara dhe të shitura dukshëm kanë kufizuar skajshëm konkurrencën mes operatorëve ekonomikë.
“AUV ka pasur mundësinë përmes Zyrës së prokurimit që të parandalojë eskalimin e kësaj çështjeje, në KRPP dhe OSHP. Sidoqoftë, duke refuzuar në tërësi ankesën e një OE-je ka hapur mundësinë që OE të procedojë çështjen në instanca më të larta. Eksperti profesional i prokurimit ka konstatuar se kriteret e lartpërmendura janë kufizuese dhe ka dhënë mendim të kualifikuar dhe profesional që ky aktivitet i prokurimit të anulohet”, thuhet në raport.
Sa i përket shpenzimit të kontratës, AUV-i ka vlerësuar se kontrata është shpenzuar për arsye se ka pasur kërkesa nga terreni, dhe si arsye ka përmendur faktin se ka mbi 70 subjekte veterinare të kontraktuara.
“Secila ngarkesë është e dëshmuar me fletëngarkesa dhe është e paraqitur në uebfaqen e AUV-it për secilin veterinar. Po ashtu në parashikimet e sektorit është vlerësuar se për tre vjet janë të mjaftueshme 175,000 numra të gjedheve, 200,000 numra të deleve, dhive dhe derrave, si dhe 4,000 mikroçipa. Mirëpo marrë parasysh që kërkesat kanë qenë të mëdha në terren, kjo për arsye se fermerët blegtoralë aplikojnë për përfitime të subvencioneve, sektori I&R nuk ka mundur që të rrijë duarkryq dhe të mos u kryejë shërbim fermerëve”, thuhet në komentin e AUV-it.
KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga kompania “Mala Farm”, porse numri i kontaktit që e ka në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve ka qenë jashtë funksionit.
Por, menaxhmenti i AUV-it në një përgjigje ndaj gjetjeve të auditorit ka thënë se vaksinat nuk shpërndahen tek ambulancat veterinare për qëllime komerciale dhe se ato përdoren vetëm për realizimin e programit kombëtar për parandalimin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive të kafshëve.
“Të gjitha produktet e ofruara nga OE fitues janë prodhime evropiane të licencuara në Agjencinë Evropiane për Produkte Mjekësore Veterinare. Si dëshmi është ofruar certifikata e origjinës dhe kualitetit të këtyre produkteve”, thuhet për tenderin e parë.
Me këtë përgjigje nuk është pajtuar Auditori i Brendshëm, duke konstatuar se të dy udhëzimet administrative, edhe i kaluari, por edhe ai i vitit 2019, obligojnë OE-të që produktet e tyre t’i kenë të pajisura me certifikata autorizim marketingu për secilin produkt mjekësor veterinar. Sipas tij, AUV në asnjë mënyrë nuk është dashur ta shmangë këtë kriter.
Ky aktivitet i prokurimit është trajtuar edhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Por, sipas Auditorit të Brendshëm, përkundër që eksperti profesional i prokurimit ka kërkuar që ky aktivitet të anulohet për arsye të kritereve të vendosura, Bordi i OSHP-së ka injoruar rekomandimin.
Ani se vendimet e OSHP-së janë obligative për autoritetet kontraktuese, Auditori i Brendshëm ka ngritur si shqetësim vendimet e këtij institucioni, duke thënë se edhe në të kaluarën ka legjitimuar veprimet problematike të AUV-it.
“Është shqetësues fakti që AUV ka vazhduar të shpërblejë me kontratë operatorin ekonomik ‘Mala Farm’, për të cilin përmes raporteve të auditimit gjatë viteve paraprake janë raportuar sjellje të papërgjegjshme/moszbatim i kontratave dhe parregullsi materiale gjatë procesit të përzgjedhjes”, thuhet në përgjigjen e Auditorit.
Auditori ka ngritur dyshime për insistimin e menaxhmentit të AUV-it për shpërblimin me kontrata të këtij operatori ekonomik, duke thënë se kjo rrezikon dhe cenon mundësinë e AUV-it për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve.