Zgjerimi i shpejtë i kryeqytetit, si dhe mbushja e rezervuarëve të mëdhenj me ujë janë dy nga problemet që, sipas kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, kanë bërë që të ketë reduktime të ujit në zona të veçanta në kryeqytet.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KRU-së, Sokol Xhafa, thotë se ekziston një hendek në komunikim mes Komunës dhe Ujësjellësit. Sipas tij, Komuna nuk po e pyet KRU-në për kapacitetet e ujit, kur i planifikon lagjet e reja, raporton KOHA.
Prandaj, siç ka thënë ai, ky moskordinim mes të dyja organeve çon në problemet e furnizimit me ujë në këto lagje.
“Në kuadër të planit zhvillimor urban janë paraparë zgjerimet e qytetit, veçanërisht ne zonën e ashtuquajtur Prishtina e Re, ajo zonë furnizohet përmes Liqenit të Badovcit, liqen i cili dihet se ka një kapacitet të vogël. Për këtë arsye me planifikimet urbane janë paraparë edhe investimet në infrastrukturën shpërndarëse të rrjetit të furnizimit me ujë. Për fat te keq, këto investime nuk janë realizuar ende dhe për këtë problemi sa vjen e rritet me shtimin e ndërtimeve të reja, respektivisht zonave të reja të banimit. Për fat të keq ne si institucion nuk po pyetemi kur po planifikohen lagje të reja. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me lagjen “Kodrina”, lagje që nuk e ka të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë, ndërsa është në ndërtim e sipër. Është urgjente të ulen struktura profesionistësh në mes të dy institucioneve, për harmonizim mes planifikimeve urbane dhe atyre të infrastrukturës përcjellëse”, ka thënë Sokol Xhafa, u.d. i kryeshefit ekzekutiv të KRU “Prishtina”.
Sipas tij, Zona e Matit, Veterniku, Zllatari e Lagjja e Muhaxhirëve janë vetëm disa nga zonat të cilat kanë kaluar nga shtëpi individuale në ndërtime kolektive, ku edhe automatikisht rriten dukshëm kërkesa për furnizim më të madh.
Mirëpo në Komunën e Prishtinës i kanë mohuar pretendimet e Ujësjellësit.
Zyra për informim e Komunës në një përgjigje dhënë KOHËS thotë se asnjë leje ndërtimore në Komunë nuk jepet pa pëlqimin e Ujësjellësit.
“Zhvillimi i qytetit është planifikuar me dokumente të planifikimit (Plani zhvillimor komunal PZHK, Plani Zhvillimor Urban PZHU dhe Planet Rregulluese PRU). Lejet ndërtimore jepen në pajtim me këto dokumente të planifikimit. Andaj është e pakuptimtë që të pretendohet se ky zhvillim i hovshëm i Prishtinës është i paparashikuar apo i paplanifikuar. Për më tepër, asnjë leje ndërtimore nuk jepet në Komunën e Prishtinës pa u pajisur paraprakisht me pëlqim nga Ujësjellësi”,thuhet në njoftimin e Zyrës për informim në Komunën e Prishtinës.
Problem tjetër, sipas Ujësjellësit, paraqitet në rastet kur ndërtesa të caktuara kanë të ndërtuar rezervuar të mëdhenj depozitimi, që çojnë në harxhim të sasisë së ujit dhe pamundësohet bartja e tij në zona më të larta.
Por në Komunë nuk janë përgjigjur nëse këto ndërtesa kanë leje paraprake për vendosjen e rezervuarëve.
E teksa reduktimet me ujë në kryeqytet po vazhdojnë, ka zona të lagjeve ku derdhet ujë pandërprerë qe më shumë se një vit.
Në rrugën “Shaip Kamberi” në Prishtinë ndodhet një rrjedhë ujore, për të cilën banorët thonë se e kanë lajmëruar disa herë edhe Ujësjellësin, por që ata ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap për ta sanuar.
Ndërkohë të premten sërish disa lagje të Prishtinës janë ballafaquar me mungesë uji. Sipas një njoftimi nga Ujësjellësi, fajtor për këtë është dëmtimi që ka ndodhur në linjën Badovc-Prishtinë.