Marrëveshja e bashkëpunimit për burgjet pritet të nënshkruhet së shpejti në mes të Kosovës dhe Danimarkës. Pas kësaj, janë dy vjet afat për institucionet e vendit që të bëjnë përshtatjen e burgut të Gjilanit me rregullat daneze. Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani deklaron se në fillim do të pranohen 100 të burgosur.
Në dhjetor të vitit 2021, dy shtetet kanë nënshkruar letër-pëlqimin për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez, në burgun e Gjilanit. Më vonë, në maj të vitit 2024, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen e cila i jep me qira burgun, shtetit danez.
Drejtori i burgjeve të Kosovës thotë se së shpejti pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes të dyja vendeve.
“Prej momentit kur nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit, e që pritet shumë shpejtë të nënshkruhet, neve kemi 18 muaj deri në 24 muaj afat për ta përshtatur burgun me rregullat daneze. Fillimisht do të pranohen 100 të burgosur, pastaj varësisht prej planit të renovimit, adaptimit të burgut sipas rregullave daneze, do të pranohen edhe të burgosurit të tjerë, e që numri do të kalojë numrin 300 persona”, deklaron Dibrani.
Traktati, me kohëzgjatje prej 10 vjetësh, parasheh që Kosova t’i përfitojë rreth 200 milionë euro të cilat, ndër të tjera, do të destinohen për Shërbimin Korrektues. Dibrani bën të ditur se ka pasur kërkesa edhe nga Belgjika e Britania e Madhe për marrëveshje të tilla.
“Ka pasur kërkesa edhe nga Belgjika edhe nga Britania e Madhe por natyrisht që neve nuk kemi interes dhe as nuk do të pranojmë që të nënshkruhen marrëveshje të tilla. Edhe pse fatmirësisht në raport me shtetet tjera, pothuajse të gjitha shtetet e Evropës kur sot është problemi kryesor mbipopullimi, neve sot kur po flasim, kapaciteti në burgjet tona është mbi 2.700. Ndërsa, në qendrat tona, në 11 institucionet tona korrektuese, kemi 1.750 persona. 1.100 të dënuar dhe 650 të tjerë janë të paraburgosur”, shprehet ai.