Arbëri

Kupina: Presidentja e gatshme për konsultime me partitë kurdo që ata e shohin të nevojshme

Presidenca

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se Osmani tashmë ka ofruar gatishmërinë e plotë për konsultime me liderët e partive kurdo që ata e shohin të nevojshme.

Të premten, Kuvendi dështoi për herë të gjashtë që të mbyllë me sukses konstituimin. Ngërçi ka ngelur tek emri i kryeparlamentarit. Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje në katër votime nuk ka marrë më shumë se 57 vota. Pas dështimit të së premtes, Instituti Demokratik i Kosovës i bëri thirrje Osmanit që të marrë rol aktiv dhe të thërrasë takim me liderët e partive parlamentare për të gjetur zgjidhje për dalje nga situata.

I pyetur për këtë çështje, Kupina ka thënë për KOHËN se Osmani veçse e ka ofruar gatishmërinë në letrën e 16 prillit drejtuar kryesuesit të seancës, Avni Dehari.

“Presidentja Osmani tashmë ka ofruar gatishmëri të plotë për konsultime me liderët e partive, kurdo që ata e shohin të nevojshme. Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme”, ka thënë Kupina.

Pas dështimit të parë më 15 prill për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi Avni Dehari i pati dërguar letër presidentes Osmani për situatën e shkaktuar në Kuvend. Presidentja në përgjigje pati theksuar se seanca konstituive duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj. Në këtë letër ajo pati thënë se është e gatshme të presë në takim partitë, nëse kjo konsiderohet e nevojshme.