Arbëri

Kundërshtohet shtyrja e procesit të zgjedhjeve të këshillave lokalë në Podujevë

Komuna e Podujevës e ka shtyrë procesin e zgjedhjes së këshillave të fshatrave dhe lagjeve urbane për muajin shtator. Sipas zyrtarëve komunalë, kjo është bërë me kërkesë të banorëve. Por, shtyrja e këtij procesi po kundërshtohet nga shoqëria civile, pjesëtarë të së cilës kanë hedhur akuza ndaj partive për ushtrim të ndikimit

Përfaqësues të shoqërisë civile e kanë kundërshtuar shtyrjen e procesit të zgjedhjes së këshillave lokale në Komunën e Podujevës.

Procesi ka nisur në muajin qershor dhe deri tash janë zgjedhur katër këshilla, kurse tre të tjerë kanë dështuar herën e parë.

Komuna e Podujevës ka marrë vendim që procesin e zgjedhjes së këshillave lokalë ta shtyjë për muajin shtator.

“Arsyetimi publik i lëshuar nga komuna ka qenë që ka qenë kërkesë e disa banorëve që të shtyhet, çka për ne nuk është legjitime, për faktin që kërkesat individuale nuk do të duhej të ndikonin në një proces që është i përgjithshëm dhe sidomos tash në kohën e pushimeve kur kemi edhe mërgimtarët që vijnë nga diaspora”, ka thënë Shemsi Jashari, drejtor ekzekutiv i rrjetit të OJQ-ve “Demokracia fillon këtu”

Jashari ka thënë se në procesin e deritashëm ka pasur edhe ndërhyrje nga partitë politike.

“Fillimi nuk ishte shumë i mirë. Patëm disa telashe që i kemi vërejtë gjatë monitorimit, ku disa prej kuvendeve kanë dështuar si pasojë e tentimit për të ndikuar në zgjedhjen e atyre që do të marrin përgjegjësi si udhëheqës të këtyre këshillave. Është përfolur shumë, ka pasur indikacione se partitë politike këtu në Podujevë kanë tentuar që me i dërgu përfaqësuesit e vet të ndikuar politikisht. Çka ka bërë me ardhë deri te dështimi i atyre kuvendeve”, ka deklaruar ai.

Pretendimet e Jasharit i ka mohuar zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Sipas tij, ishte kërkesë e vetë banorëve që të shtyhet procesi, pasi është kohë pushimesh.

“Prej fillimit të këtij procesi Komuna e Podujevës përmes komisionit është angazhuar maksimalisht që të ruajë nga aspekti politik i çfarëdo partie që të ketë tendenca që të ndërhyjë në këtë proces. Dhe vazhdimisht iu kemi bërë thirrje edhe banorëve që të ruhet ky proces dhe nuk është kjo arsyeja për çka është ndalë procesi”, ka thënë Zhitia.

Në Komunën e Podujevës gjithsej parashihet të zgjidhen 30 këshilla lokale.