Banorët e disa lokaliteteve në Komunën e Lipjanit dhe në atë të Shtimes po e kundërshtojnë një vendim të Asamblesë së Lipjanit për groposjen e kafshëve të ngordhura në afërsi të shtëpive. E gjatë një proteste të mbajtur të martën, ata e ndërprenë punën e inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës
Banorë të fshatrave Kraishtë e Bregu i Zi të Lipjanit, dhe ata të Godancit e Varigocit të Shtimes, e kundërshtuan me protestë vendimin e vitit 2018 të Kuvendit Komunal të Lipjanit për groposjen e kafshëve të ngordhura dhe atyre me sëmundje në pjesën malore afër vendbanimeve të tyre.
Ata gjatë protestës i penguan ekipet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në groposjen e disa kafshëve me sëmundje të brucelozës. Ndërkaq e shprehën ankesën se Komuna e Lipjanit e ka marrë vendimin pa pëlqimin e tyre dhe pa e shqyrtuar peticionin e nënshkruar nga banorët e të katër fshatrave.
“Asambleja komunale ka marrë vendim pa i pyetur fare banorët. Rreth 50 metra i kemi puset për ujë të pijshëm, pastaj e kemi një burim të ujit i cili është shërues. Ne bëjmë kërkesë dhe lutje që të mos groposen kafshët dhe të ndërpritet ky vendim”, tha banori i fshatit Kraishtë, Armend Luma.
“Sot e kemi ndërprerë aktivitetin dhe po presim nga Komuna një përgjigje në mënyrë që mos ta vazhdojnë këtë aktivitet këtu, sepse ka pjesë të tjera për groposje. Është shqetësuese prej Gadimes me i sjell kafshët këtu derisa ka kodra atje , andaj si është e lejueshme”, tha banori i Bodancit, Behxhet Abazi.
E Mehdi Avdyli nga fshati Bregu i Zi e bëri zotimin se vendimi do të kundërshtohet deri në shfuqizimin e tij.
“E kemi bërë një peticion para katër vjetëve, por nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje dhe nuk e di a është marrë parasysh ajo ankesë, ndërkaq ne do ta kundërshtojmë derisa komuna ta shfuqizojë këtë vendim”, tha banori nga Bregu i Zi, Mehdi Avdyli.
Avni Jashari, shef i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Lipjanit, ka shpjeguar se nga AVUK-u kanë marrë konfirmimin e gropimi i kafshëve është bërë bazuar në standarde të paracaktuara.
“Sot në mëngjes kemi kontaktuar sërish AVUK-un dhe të njëjtit na kanë konfirmuar se groposja është bërë sipas standardeve që ata i kanë për raste të tilla. Sa u përket pakënaqësive të banorëve, ne jemi brenda një obligimi që është marrë me vendim në KK Lipjan, të datës 1.2.2018. Ne si komunë jemi të hapur për ankesa nga qytetarët dhe të gjitha ankesat që kanë bazë ligjore do të shqyrtohen në përpikëri në të mirën e përgjithshme”, tha Jashari.
E Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, i ka thënë KOHËS se me gjithë pamundësimin e punës të martën, kjo agjenci e ka për obligim që ta bëjë asgjësimin e kafshëve dhe groposjen e tyre.