Në përvjetorin e demonstratave studentore “Iniciativa Studentore për Novacion 68” ka mbajtur një aksion simbolik para Qendrës së Studentëve. Anëtarët e saj shprehën pakënaqësitë për siç thanë mungesë të hapësirave për zhvillimin e aktiviteteve kulturore. E kundërshtuan shndërrimin e një salle në zyrë administrative
“Iniciativa Studentore për Novacion 68” ka mbajtur një aksion simbolik para Qendrës së Studentëve të martën për të shprehur pakënaqësitë për shndërrimin në zyrë të një hapësire të shfrytëzuar më herët nga studentët.
Hapësira ka mbi nëntë muaj që është shndërruar në zyrë që tani përdoret nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, por organizatorët thanë se pakënaqësinë ndaj këtij vendimi vendosën ta shprehin në përvjetorin e demonstratave studentore.
Bujar Hoxha, anëtar i organizatës, ka thënë se nuk kanë hapësira për të zhvilluar aktivitete kulturore.
“Salla ku duhet të organizonim debate, leksione alternative, klube kulturore e artistike janë të mbyllura për ne. Në vend të hapësirave për studentë kemi zyra administrative, hapësira komerciale dhe dyer të mbyllura”, ka thënë Bujar Hoxha, anëtar i “Iniciativës Studentore për Novacion 68”.
Anëtari i bordit të organizatës, Ilir Kiçmari, ka thënë se menaxhmenti ka neglizhuar kërkesat e studentëve.
“Salla e konferencave ku ne kemi mbajtur takimet është kthyer në zyrë për Agjencinë e Kosovës të Akreditimit, dhe sipas informacioneve që i kemi, amfiteatri i hapur ku ne kemi mbajtur shumë aktivitete tradicionale deri më sot kemi marrë informacione që do të rrënohet dhe do të kthehet në objekt për banim”, ka thënë Kiçmari.
E drejtori i Qendrës Studentore, Ekrem Rudari, është shprehur se hapësira është e destinuar për administratën.
Sipas tij, studentët kanë hapësira të mjaftueshme për aktivitete.
“Këtu salla është e administratës nuk është për studentë, për studentë e kemi sallën 1 Tetori, mezen, gjitha konviktet, sallat e sportit brenda në oborrin e konvikteve këto i kemi ne, kjo është e administratës dhe këtu operojnë ashtu SBASHK-u, Akreditimi, Cilësia”, ka thënë Rudari.
Sa u përket pretendimeve se amfiteatri do të shndërrohet në objekt banimi, Rudari ka thënë se deri më tani nuk ka një plan konkret.