Arbëri

Kultura, ekonomia e turizmi, të përbashkëtat e Prizrenit dhe Shkodrës

Udhëheqësit politikë të Prizrenit dhe të Shkodrës po shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit për zhvillim ekonomik. Sipas tyre, komunikimi më i afërt është i domosdoshëm për arritjen e këtij objektivi. Sot në Prizren qëndroi kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci

Autoritetet lokale të Shkodrës dhe të Prizrenit kanë shprehur gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në lëmenj të ndryshëm me qëllim të krijimit të mundësive për përfitime ekonomike dypalëshe. Idetë e para në këtë aspekt janë diskutuar të hënën në Prizren, gjatë takimit të kryetarit Shaqir Totaj me kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.

Për Becin kjo është vizita e parë në Kosovë në cilësinë e kryebashkiakut, i zgjedhur javë më parë.

“Dhe sot gjeta dhe pata kënaqësinë që me kryetarin të shkëmbenim dhe diskutonim për sa mënyra dhe mundësi kemi që mes dy bashkive tona, mes Prizrenit dhe Shkodrës, të zhvillojmë një bashkëpunim i cili është jo vetëm historik, jo vetëm kulturor, jo vetëm sportiv, jo vetëm turistik, por edhe ekonomik. Të gjitha këto diskutime sot mendoj se kanë qenë shumë të vlefshme si një fillim për një rrugëtim të gjatë bashkëpunues me përfitime dypalëshe”, ka deklaruar Beci.

E Shaqir Totaj, ka vlerësuar se Prizreni dhe Shkodra kanë shumë ngjashmëri dhe shumë elemente kulturore tradicionale, të cilat mund të vihen në shërbim të avancimit të turizmit.

një mundësi e tillë që t’i bëjmë për shembull “Ditët e Prizrenit” në Shkodër apo “Ditët e Shkodrës” në Prizren, ku përfshihet edhe kultura, edhe turizmi, edhe biznesi, edhe sporti, të gjitha. Edhe është diçka që do ta shqyrtojmë dhe jam i sigurt se do të gjejmë forma dhe variante se si të organizohemi dhe në këtë mënyrë do të kontribuojmë në lëvizje nga Prizreni në Shkodër dhe nga Shkodra në Prizren, sepse ka shumë gjëra të përbashkëta, të cilat duhet të promovohen dhe shfrytëzohen në funksion të ngritjes së kapaciteteve turistike për të dyja palët”, ka thënë Totaj.

Lehtësuesi i këtij takimi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka theksuar se Prizreni e Shkodra janë dy maja jo vetëm të historisë e kulturës, por edhe të dashurisë shekullore të dy pjesëve të trevës kombëtare që duhet çuar më tej.

“Në radhë të parë nuk është dëshira e politikës, por është dëshira e qytetarëve që Prizrenin dhe Shkodrën ta shikojnë shumë, shumë më afër njëri-tjetrit se më parë”, është shprehur Minxhozi.

Për t’u njohur më përvojat e mira të Prizrenit, kryebashkiaku Beci në shoqëri të kryetarit Totaj gjatë ditës së hënë ka vizituar DokuFestin si dhe Parkun për Inovacion dhe Trajnime.