Ish-ambasadori i Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi, ka thënë se aleatët e kanë problem komunikimin me "Qeverinë për shkak të qasjes enveriste të formacionit politik që e përbën ekzekutivin aktual".
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Kullashi ka thënë se ndikimi i “shkollës enveriste” ka bërë që partia në pushtet “ta mbrojë sovranitetin me anë të izolimit”.
“Aspekti historik është i rëndësishëm, ky është i vetmi formacion politik (Lëvizja Vetëvendosje) i cili gjatë viteve është deklaruar kundër intervenimeve të NATO-s. Militantët janë edukuar me kundërshtinë dhe formulat dihen, anti-imperializmi etj. Ndikimi është i shkollës enveriste, ideologjisë enveriste, modeli i asaj shkolle ka qenë bunkeri, mbrojtja e sovranitetit me bunker. Këtu ka rezonanca në mes. Por, bota e sotme është krejt tjetër prej botës së Enver Hoxhës. Është hera e parë që kryeministri nuk ftohet prej homologëve, ata e kanë parë që është e vështirë të komunikohet me të. Ekziston një mungesë e vullnetit të përvetësimit të njohurive”, ka thënë ai.
Sipas tij, izolimi i vendit po shkon duke u thelluar, teksa marrëdhëniet me ndërkombëtarët janë prishur në skajshmëri.
“Nëse ne e injorojmë faktin e rëndësisë dhe peshës që këto vende aleate e kanë sot e tutje këtu, mos harrojmë që janë ato shtete që e kanë çliruar Kosovën. Sovranitetin e garantojnë fuqitë e mëdha. Problemi është te komunikimi me përfaqësuesit diplomatikë dhe shtetërorë të këtyre vendeve. Kosova sot shkon kah izolimi, izolimi vetëm shkon e thellohet. Ata (ndërkombëtarët) e kanë problem komunikimin me Qeverinë. Ky është një problem serioz. Kurti në skajshmëri i ka prishur marrëdhëniet me aleatët”, është shprehur ai.