Anëtarja e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Diellza Kukaj, ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për keqpërdorim të 350 mijë eurove.
Sipas saj, kjo ministri ka kontraktuar dy kompani që ta kryejnë punën e njëjtë – të kontaktojnë të njëjtit politikanë amerikanë për të njëjtën çështje.
“Kontraktimi i dy kompanive për të kontaktuar të njëjtët politikanë amerikanë në të njëjtat data tregon jo vetëm mungesë profesionalizmi, por edhe papërgjegjësi të thellë nga ana e ministrisë. Kjo qasje është tërësisht e papranueshme, sidomos në një kohë kur qytetarët përballen me sfida ekonomike dhe financiare”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kukaj ka shtuar se MPJD-ja duhet të japë përgjegjësi për këtë, siç e ka quajtur ajo, keqmenaxhim të fondeve publike.
“Nuk mund të tolerohet që fondet publike të përdoren për qëllime lobimi pa rezultate fare, pa një analizë të qartë për efektivitetin dhe nevojën reale të këtyre shpenzimeve. Rritja e transparencës dhe llogaridhënia institucionale janë të domosdoshme, ndërsa ministria duhet të japë përgjegjësi për këtë keqmenaxhim”, është shprehur ajo.