Arbëri

Kujtohet me emocione e ndjenja të përziera 24-vjetori i bombardimeve të NATO-s

Serbia kapitulloi pas 78 ditë bombardimesh nga NATO-ja. Më 10 qershor të 1999-s ajo la Kosovën, e cila prej 15 vjetësh është shtet i pavarur. Pushteti në Serbi vazhdon as të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë, as që ta njohë realitetin e ri

“Nëse presidenti Slobodan Milosheviq nuk bën paqe, ne do ta kufizojmë aftësinë e tij për të bërë luftë”. Kjo deklaratë e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, në natën e 24 marsit të vitit 1999, pak kohë pas nisjes së fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë, u bë shpresë për Kosovën se tmerri i luftës do të merrte fund së shpejti.

Por me nisjen e sulmeve ajrore, 24 vjet më parë, nuk përfundoi gjithçka. Përderisa në 78 ditë aeroplanët e NATO-s bombardonin caqet serbe nga ajri, në tokë forcat e Slobodan Milosheviqit shtonin terrorin mbi shqiptarët.

Rrahman Paçarizi ka qenë gazetar në kohën kur patën nisur bombardimet. Pak muaj më parë ai ishte bërë baba për herë të parë. Për të siguruar strehë më të mirë për familjen, ishte shpërngulur nga qendra e Prishtinës, ku jetonte, për në “Kodër të Diellit”.

Disa orë para nisjes së bombardimeve, pasi që ishte larguar nga puna, Paçarizi ka thënë se situata në Prishtinë ishte shumë e qetë dhe sikurse paralajmëronte se do të ndodhte diçka, të cilën ka shtuar se nuk e ka pritur.

“Kemi jetuar në bodrumin e shtëpisë, një shtëpi të vjetër e cila pas bombardimeve është shembur gjysma, dhe një pjesë të kësaj kohe e kemi kaluar në shtëpi gjysmë të shembur. Njëri ballë i murit nuk ka qenë fare”, ka treguar ish-gazetari. “Ka qenë një situatë jashtëzakonisht e vështirë, me sirena, vetura të policisë... Ka qenë një natë e masakrës, e paqartësisë kur ne nuk dinim se çfarë kishte ndodhur dhe çfarë do të ndodhte”, ka rrëfyer ai, teksa ka shtuar se në atë kohë nuk kishte informata për anëtarët e familjes më të gjerë.

Të jetuarit në qendër të kryeqytetit dhe atë në “Kodër të Diellit”, në kohën e bombardimeve, Paçarizi e përshkroi si dy “atmosfera” krejt të ndryshme prej njëra-tjetrës.

“Një situatë krejt ndryshe brenda një kilometri distancë brenda qytetit. Unë i kisha përjetuar dy atmosfera krejt të kundërta dhe kjo atmosferë në ‘Bregun e Diellit’ zgjati për disa ditë, 5-6 ditë, derisa nisi që të zbrazej qyteti masivisht. ‘Bregu i Diellit’ ishte bërë njëfarë vendi post-apokaliptik, njëfarë lagjeje në të cilën njerëzit nuk lëviznin shumë. Lëviznin tinëz, lëviznin nga muri në mur, jo në rrugët kryesore. Nisën kontrollet, bastisjet e shtëpive, u shndërrua në njëfarë ferri në tokë”, tregon ai.

“Momenti më i lumtur i jetës”

24 vjet pas, qytetarët e përshkruajnë me emocione dhe me ndjenja të përziera kohën e bombardimeve.

Shaip Hajrizi, qytetar nga Prishtina, ka thënë se nga paralajmërimet e ndërkombëtarëve e kishte ditur se do të pasonin bombardimet, po qe se pala serbe nuk ndërron qëndrim.

“Ka qenë momenti më i lumtur në jetën tonë, sepse aty e kemi parë shpëtimin... e kemi ditur që në momentin që fillon bombardimi, Serbia nuk mundet me përballu dhe ka me u dorëzu”, thotë Hajrizi, tek shton se nuk ka besuar që bombardimet do të zgjatnin më shumë se rreth një muaj. “Çdo vakum që ka qenë atëherë e kemi ditë që Serbia ka për ta shfrytëzuar rastin dhe do të bëjë masakra”, thotë ai.

“Jemi gëzuar krejt dhe kemi shpresuar që për një kohë të shkurtër do të rregullohet, por që zgjat aq shumë nuk e kemi besuar. Dhe mandej nisën problemet”, thotë Gazmend Dalladaku, qytetar nga Prishtina. “Edhe këtu që kanë qenë serbë na thoshin: ‘E keni lyp NATO-n tash qe NATO-ja’. Na dëbonin, ka pasur maltretime, ka pasur kolonë...”, shton ai.

Ndryshe nga Hajrizi e Dalladaku, Nysret Haxhiu nuk ka qenë në kryeqytet gjatë bombardimeve. Ai asokohe jetonte në Gjermani, por familjen e kishte në Kosovë.

“Unë i kam pasur prindërit këtu, babën e nënën. Kanë provuar të dalin, por nuk kanë mundur. I kam pasë krejt këtu... Faktikisht, njeriu tutet se aty nuk dihet kush kujt i bie. Ka qenë edhe lajm i mirë, pasi NATO-ja ka bombarduar, ka qenë një plus për neve”, thekson ai.

Kastrati: Ishte momenti i fundit që NATO-ja të intervenonte

As rreth tre muaj që nga nisja e bombardimeve, Serbia nuk ishte dorëzuar.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk mund ta merrte nën mbrojtje shumicën e popullsisë civile, e cila iu nënshtrua maltretimeve, masakrave e dëbimit masiv.

Gjenerali Kadri Kastrati ka qenë përgjegjës për operacionet luftarake në Zonën Operative të Llapit. Ai thotë se pavarësia e Kosovës është rezultat edhe i intervenimit të NATO-s.

“NATO-ja ka qenë largpamëse dhe e ka parë që Kosova duhet dalëngadalë, me faza, të shkëputet nga Serbia, të shkëputet nga Jugosllavia, sepse këtu ka filluar më 1981 dhe mbaroi edhe me Kosovën. Në aspektin strategjik, NATO-ja i ka pasur planifikimet e veta dhe sot jemi në vitin 2023 si shtet i pavarur dhe sovran”, thotë Kastrati.

Sipas gjeneralit, situata në terren ka qenë shumë e vështirë, andaj edhe për UÇK-në intervenimi ka qenë i mirëseardhur.

“Ne ishim në një situatë shumë të rëndë. Kishim shumë popullatë, spitale të improvizuara, ushqimet vinin kah fundi, armatimi u zvogëlua në masë shumë të madhe dhe ky ka qenë momenti i fundit që NATO-ja të intervenojë”.

Serbia kapitulloi pas 78 ditë bombardimesh nga NATO-ja. Më 10 qershor të 1999-s ajo la Kosovën, e cila prej 15 vjetësh është shtet i pavarur.

Pushteti në Serbi vazhdon as të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë e as që ta njohë realitetin e ri.