Përvjetori i 24-t i Betejës së Koshares mblodhi ish-ushtarë, familjarë të të rënëve, politikanë e qytetarë për ta përkujtuar këtë fitore të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Memorialin kushtuar dëshmorëve në Koshare, ish-pjesëtarë që morën pjesë në operacionin “Shigjeta” e familjarë vendosën kurora me lule e përkujtuan shokët e tyre të rënë
Në fshatin Koshare, më 9 prill të vitit 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, shqiptarë nga të gjitha anët e Kosovës ishin mbledhur me qëllimin që ta thyenin kufirin me Shqipërinë.
Në 24-vjetorin e Betejës së Koshares, të dielën, ish-komandanti Hisen Berisha tregoi për përgatitjet dhe organizimin e sulmit të Ushtrisë Çlirimtare ndaj forcave serbe. Ai thotë se megjithëse ushtria serbe ishte më e numërt, UÇK-ja fitoi.
“Kemi arritur t’i kemi kuadrot për çdo lloj arme kolektive dhe për armë zjarri, njësitë e këmbësorisë t’i kemi bërthamat e tyre të gatshme. Pastaj, me thirrjen për hyrje në luftë ato njësi janë përmbushur me ushtarë dhe vullnetarë që kanë ardhur prej të gjitha drejtimeve dhe kemi arritur të konsolidojmë një forcë e cila i ka mposhtur forcat serbe. Përkundër faktit se ka qenë komplet armata e tretë, Korpusi i Prishtinës në krye me Lazareviqin dhe pesë gjeneralë të tjerë, ata kanë pësuar debakël”, ka thënë Berisha.
Berisha thotë se UÇK-ja suksesshëm sulmoi tri pozicione të ushtrisë serbe, Rrasën e Koshares, Majen Gllava dhe bazën e ushtarake afër kufirit.
Ndihmë të madhe në stërvitje, njësisë “Delta” i kishte dhënë edhe John Harrison, një ushtarak britanik, i cili mori pjesë në luftimet në Koshare.
“Delta Forca ishin në krye, ata i prinin secilit luftim. Unë i kam trajnuar ata të mbesin gjallë, taktikat e grupimeve të vogla. Jam i lumtur të them që të gjithë ata që i kam trajnuar, mbijetuan. Nuk e humbëm asnjë në dyluftim”, u shpreh Harrison.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Arif Maloku, tregon se në këtë betejë plumbat e parë u shkrepën në orën 4:00 të mëngjesit. Ai tregon se ata përparuan shumë shpejt në marrjen e pozicioneve nga forcat serbe.
“Kemi vazhduar drejt objektit të Karaullës, pastaj më 10 prill e kemi vazhduar dhe e kemi marrë objektin komplet”, deklaroi Maloku.
91-vjeçari, Adem Shala, babai i heroit Sylejman Shala, bashkë me bashkëshorten vendosën kurora lulesh në pllakën përkujtimore për ta nderuar djalin e tyre dhe të tjerët të rënë në këtë betejë.
Por ai thotë se është i shqetësuar se edhe tash 24 vjet pas luftës, të rinjtë po largohen nga vendi.
“Këta e kanë dhënë jetën për këtë Kosovë, i falënderoj. Unë e kam dhënë edhe djalin, por diçka nuk po më pëlqen, po ikin rinia, po shkojnë jashtë”, ka thënë Shala.
Kosharja është një nga betejat më të rëndësishme në luftën e UÇK-së, me ç’rast u vranë 144 ushtarë dhe 170 të tjerë u plagosën.
Me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares, të dielën në Koshare u mbajt manifestimi “Ditët e shqipes”. Aty u tha se kjo betejë shënon njërën prej betejave më titanike të luftës për liri gjatë gjithë historisë.
Manifestimi mblodhi qytetarë të shumët e liderë të partive politike.
Ata bënë homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, e kujtuan dëshmorët e rënë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u quajti atë si një prej betejave më të lavdishme të historisë së UÇK-së.
"Sot me bashkëpunëtorë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nderojmë të gjithë heronjtë e rënë 24 vjet më parë më 9 prill, datën e njërës prej betejave më të lavdishme të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Koshares. Në betejën e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar dhe nisjes së triumfit përfundimtar për lirinë e popullit të Kosovës. Nderojmë të gjithë të rënët, Agim Ramadanin, Agim Çekajn dhe çdo ushtar tjetër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh se lufta e Koshares e ka ndryshuar rrjedhën në tërësi të zhvillimeve në Kosovë.
Haradinaj shtoi se dëshmorët e kësaj beteje kanë arritur ta thyejnë kufirin shqiptaro-shqiptar, i cili ishte vendosur nga forcat pushtuese.
"Jemi në vendin ku pushojnë luftëtarët shqiptarë, në vendin që është dëshmi e përpjekjeve të vështira të luftës për liri. Epopeja e Koshares, një luftë mjaft e përgjakshme, ka qenë në atë kohë vendimtare për epilogun e luftës tonë, jo vetëm për luftimet këtu në kufi shqiptaro-shqiptar, por për të gjithë luftën. Pa këtë luftë të Koshares, lufta jonë për liri nuk do të ishte. Për këtë liri i nderojmë dhe të gjallët, i përjetshëm qoftë kujtimi për ta", ka thënë Haradinaj.
Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti nuk ishin në ceremoni, por Betejën e Koshares e kujtuan me postime në rrjetet sociale.
“Në këtë ditë kujtojmë me respekt heronjtë e Betejës së Koshares dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së. Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim”, ka shkruar Osmani.
Kryeministri Kurti u shpreh se aksioni i ushtarëve të UÇK-së kishte tri caqe të pozicioneve të ushtarëve serbë: bazën “7 korriku”, Rrasën e Koshares dhe majën “Gllava”.
“Sot kujtojmë mëngjesin e hershëm të 9 prillit të vitit 1999, kur ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sulmuan ushtrinë serbe, me qëllim thyerjen e kufirit mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Para katër vjetësh, në 20-vjetorin e Betejës së Koshares, ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i kishte shpallur heronj të Kosovës dëshmorët e rënë në këtë betejë.