Arbëri

KTV-ja rikthen “Konfrontin” në format të ri

“Ajo që mund të them tash për tash është se ka kohë që po mendojmë për konceptin e këtij emisioni dhe tashmë kemi arritur te versioni final. Për emër të emisionit kemi rikthyer atë të njërit prej emisioneve të para të KTV-së ku janë konfrontuar argumentet, idetë e qëndrimet e figurave të ndryshme vendimmarrëse në shoqërinë tonë”, ka thënë Mimoza Koprani-Muçaj, nën drejtimin e së cilës vjen “Konfronti”, çdo të martë, të mërkurë dhe të enjte, prej orës 20:10

“Konfront” vjen në Kohavision. Skema programore e televizionit më të besueshëm në vend, prej të martës, pasurohet me emisionin qendror në prime-time. Tri herë në javë, prej orës 20:10, “Konfronti” do të jetë adresa kryesore e trajtimit të temave aktuale, analizave e përgjigjeve për çështje të ndryshme të skenës politike dhe sociale në vend. Por, jo vetëm. Tashmë çdo gjë është gati që emisioni nën drejtimin e Mimoza Koprani-Muçajt të debutojë.

Gazetarja e redaktorja shumëvjeçare e KTV-së ka pranuar të zbulojë edhe disa detaje të emisionit.

“Ajo që mund të them tash për tash është se ka kohë që po mendojmë për konceptin e këtij emisioni dhe tashmë kemi arritur te versioni final. Për emër të emisionit kemi rikthyer atë të njërit prej emisioneve të para të KTV-së ku janë konfrontuar argumentet, idetë e qëndrimet e figurave të ndryshme vendimmarrëse në shoqërinë tonë”, ka thënë Koprani-Muçaj.

Në emision, pos të ftuarve ajo do të ketë edhe një panel analistësh të përzgjedhur me kujdes, ekspertë e njohës të fushave të ndryshme.

“Kemi një kryeredaktore të një mediumi online, një aktivist të shoqërisë civile, një ekonomiste dhe një regjisor”, ka thënë Koprani-Muçaj, pa i zbuluar emrat. “Me ta do të mundohemi t’i trajtojmë temat e problemet politike, ekonomike, sociale, të arsimit e të kulturës”.

Ajo ka thënë se Kohavisioni njihet si medium serioz, shumë i besueshëm dhe se këtë e konfirmojnë edhe shifrat e shikueshmërisë. E, në këtë frymë do të jetë edhe “Konfronti”.

“E them me bindje se ‘Konfronti’, prej të martës deri të enjten, do të jetë emisioni qendror ku shikuesit do të marrin përgjigje në shumë pyetje”, ka thënë Koprani-Muçaj.

"Konfront" vjen të martën, të mërkurën dhe të enjten prej orës 20:10.