25 vjet

Kthesa që bëri “KOHA Ditore” në raportimin e luftës

Çlirimi i Kosovës eci paralelisht me çlirimin e medias.

“KOHA Ditore” si gazetë e përditshme nisi punën në vitin 1997, në prag të luftës, për t’u bërë shpejt dëshmitarja më e mirë e një periudhe të errët ku presidenti i atëhershëm i ish-Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq, i njohur nga mediat ndërkombëtare si “Kasapi i Ballkanit”, nisi të masakronte fëmijë, gra e pleq në Kosovë, pasi kërdi kishte bërë edhe në Bosnjë-Hercegovinë. 

“KOHA Ditore” ishte e para dhe e vetmja atë kohë që i kundërvihej njëmendësisë e propagandës. Duke e çliruar lajmin fillimisht, u bë burimi i parë i shqiptarëve gjatë luftës e adresa kryesore e botës për t’u informuar se çfarë po ndodhte realisht në Kosovë.

Më 4 mars të vitit 1998, në ballinën e gazetës ishte publikuar fotoja qendrore e 24 kufomave, civilë të vrarë nga forcat serbe, në varrimin e të cilëve morën pjesë rreth 100 mijë qytetarë. 

“Drenica varrosi 24 viktima të masakrës” ishte përshkrimi që e shoqëroi fotografinë. E më pas një fjali tjetër: “Mbi 100 mijë veta kaluan pengesat e vëna nga Policia serbe për t’ua dhënë përshëndetjen e fundit viktimave të masakrës me të madhe të këtij dhjetëvjetëshi kosovar”.

Në masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, më 28 shkurt dhe 1 mars 1998, janë vrarë e masakruar 24 banorë të këtyre fshatrave, nga të cilat 10 ishin të familjes Ahmeti.

Por kjo masakër do të mbetej më e madhja për vetëm 72 orë pas këtij varrimi.

Në masakrën e Prekazit të Skenderajt, më: 5, 6 e 7 mars 1998, u vranë 59 shqiptarë, nga të cilët 55 janë nga lagjja e Jasharëve. Edhe këtë e dokumentoi gazeta “KOHA Ditore”.

“Ofensivë e gjerë e njësive speciale serbe në Drenicë, me artileri, helikopterë dhe autoblinda”, “Sulmi i ri policor në Drenicë së paku 20 shqiptarë të vrarë”. Me tej në ballinë shkruhej: “Shtëpitë e familjeve Jashari dhe Lushtaku janë shkatërruar; U sulmua Prekazi, Llausha, Polaci, Vojnika, Aqareva, Rezalla; Gati 5 mijë banorë të fshatrave, kryesisht gra e fëmijë, me traktorë kanë ikur nga shtëpitë e tyre në drejtim të Vushtrrisë dhe Shipolit të Mitrovicës.

Masakrat po vazhdonin.

Alban Bujari, fotoreporter i KOHËS Ditore ishte krejt në fillim të karrierës. Por ai do të bëhej një nga personat që dokumentoi më së miri së çfarë po bënte pushteti i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë.
Shkrepjet e tij, të shoqëruara nga shkrimet e ekipit të gazetarëve të rinj në moshë të “KOHËS Ditore” u bënë referenca për brenda, por edhe jashtë vendit për atë që sot konsiderohet si fundi i procesit të çlirimit.

“Shpresoj që ne si gazetarë të KOHËS Ditore e kemi përmbushur atë mision. Nuk e di qysh tregoj prej fillimit se shumë herët ka qenë. Prej 1997 kur ka filluar të punojë KOHA Ditore dhe kam vazhduar direkt në luftë. Pra, kam qenë krejt pa përvojë. Por përvoja u arrit shumë shpejt se kemi punuar edhe me gazetarë të huaj. Ka qenë një ekip i jashtëzakonshëm i gazetarëve të rinj në ‘Kohë Ditore’ e cila e ka kryer shumë profesionalisht ketë detyrë, duke marrë parasysh që kanë qenë shumë të rinj. Siç janë: Nebi Qena, Garentina Kraja, Ylber Bajraktari, Virtyt Gacaferi, Naser Miftari...mos të harroj ndokënd. Kontributi ka qenë jashtëzakonisht i madh veçanërisht kur u bë Agjencia e Lajmeve ‘Arta’ në kuadër të ‘KOHËS Ditore’. Deri atëherë nuk ka pas agjenci të lajmeve për me plasu si fotografi dhe lajme prej masakrave, luftimeve, refugjatëve. Ka pas agjenci si BBC dhe CNN por Arta i ka shkuar goxha afër”, ka thënë ai. 

Për një fotograf lufte si Bujari, që ka dokumentuar pothuajse çdo masakër, është vështirë të zgjedhë një krim më mizor sesa tjetri.

“Me ju thanë që njeri behët imun, veç ju gënjej. Në pamje të parë mund të dukem që jam imun prej pamjeve të rënda si njerëz pa kokë, pa veshkë, pa zemër, pa sy...Po flas për Reçak. Në Prekaz të djegur, Rugovë të Hasit e tutje. Janë shumë të rënda. Nuk dëshiroj, askujt të ia dëshiroj ato. Normal që lënë trauma, por duhet të vazhdohet të jetohet me to. Të rënda janë krejt, por më së keqi e kam përjetuar Rugovën e Hasit se me është dashtë me shkelë në gjakun e ushtarëve. Atje kemi pas shku me Naser Miftarin dhe Afrim Vitinë. Mendoj që nuk e kanë ditë që jam shqiptar se nuk me kishin lanë me fotografu. Është dashtë me shkelë në gjak të ushtarëve. Me ni atë erë që hala e nij....” ka deklaruar ai.

Imer Mushkolaj atëkohë sapo kishte filluar rrugëtimin në gazetari. Për të “KOHA Ditore” bëri ndryshimin e madh, duke vendosur standard të ri në gazetari, që do e ndryshonte edhe kahen e luftës çlirimtare.

“Dalja e KOHËS Ditore ka sjellë jo vetëm një freski, një mënyrë të re të raportimit por ka qenë adresa kryesore e gjithë mediave, gazetarëve të huaj, diplomatëve të huaj. Edhe vetë nëse marrim e shohim ballinat e Kohës Ditore ti e ki një histori në vete se çfarë ka ndodhur në Kosovë, çoftë me vrasjet, qoftë me masakrat, qoftë me dhunën që është ushtruar në atë kohë në Kosovë. Mendoj që dashtë e pa dashtë është kthyer në një lloj institucioni atëherë në mënyrën qysh e ka raportu luftën”, ka thënë Mushkolaj.

Redaksia e “KOHËS Ditore” ishte kthyer po ashtu në qendër, ku gazetarët e huaj gjenin mbështetjen me të madhe, si për informata, orientim e përcjellje në vende të ndryshme.

“Në atë kohë, redaksia e KOHËS Ditore është kthy edhe në një lloj ambasade nëse mund të shprehëm kështu, me diplomatë të huaj, me ambasadorë në mënyrë që edhe të marrin informacione por edhe bashkë me gazetare e gazetarë të KOHËS të shkojnë në terren”, ka shtuar ai.

Fotoreporteri Bujari i ka shoqëruar shpesh këto ekipe.

“Kryesisht ka qenë arsyeja që me mbërri në cak me sigurt, sepse në disa vende ata kanë pasur privilegje me shumë si me gazetarë të Guardion, New York Times, BBC e CNN. Koha Ditore ka qenë si bazë për gazetarët e huaj, ka qenë si media qendër”, ka thënë Bujari.

Raportimet e gazetës u përdorën nga diplomatët e huaj në bisedime me pushtetin e atëhershëm të Jugosllavisë. Më 9 mars 1998, emisari special i SHBA-së për Kosovën, Robert Gelbard, ia nxori Slobodan Milosheviqit para hundëve fotografitë e masakrës në Prekaz, të shkrepura nga “Koha Ditore”. Po ia faktonte se si forcat e tij në fushatën ndëshkimore vranë në Prekaz gati 60 shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe 12 fëmijë, 13 gra dhe pesë pleq. E vërteta e dokumentuar nga gazetarët e fotoreporterët e “Kohës Ditore” nga vatrat e luftës po merrte dhenë.

Qytetarët e mbajnë mend mirë atë çfarë u ofroi në kohën më të vështirë të vendit kjo gazetë.
“Koha Ditore ishte dhe do të jetë. Po e them që do të jetë edhe pse nuk është më. Unë e kam në memorien time sepse jam rritë me të. Sinqerisht ka qenë burimi kryesor edhe gjatë luftës. Aty e kishim edhe frymëzim”, ka thënë Skënder Nokaj.

KOHA Ditore përveç që dokumentoi secilin krim e secilën masakër në Kosovë, ajo nuk e ndali punën as gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Më 20 mars 1999, presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, atëkohë ministër i Informacionit të Millosheviqit, urdhëroi mbylljen dhe gjobitjen e gazetës. Gazeta nuk u zmbraps. Në mëngjesin e 24 marsit, “Koha Ditore”, përmes një shkrimi në ballinë, i bëri thirrje aleancës më të madhe ushtarake në botë: “NATO Air Just do it”. 

Në mbrëmje do të përflakej qielli i Kosovës nga bombat që si asnjëherë tjetër në histori treguan se bota perëndimore e demokratike ishte në krah të shqiptarëve, në emër të së drejtës humanitare. Në redaksi po punohej nën jehonën e bombave. Por gazeta të nesërmen nuk u botua për shkak se u thyen zyrat e gazetës nga policia serbe, e cila edhe e vrau rojtarin e redaksisë së gazetës, Rexhep Ramadani. Regjimi serb nuk u ndal me kaq, e dogji deri në themel edhe shtypshkronjën “KOHA Print”.
Gazeta e vazhdoi botimin një muaj më vonë nga një zyre e vogël në Tetovë të Maqedonisë, ku u mblodhën anëtarët e stafit, tashmë refugjatë.

Liria që aq shumë po e prisnin qytetarët erdhi.

“Si me thanë...M’falni pak emocione kam. Ishte gëzim i madh shumë. Sidomos për fëmijë. Tek na KFOR kanë qenë irlandezët e skocezët. Aty përnihere i kam pa njerëzit si kërpudhat. Unë jam habitë. Jam habitë. Nuk besojsha që ka njerëz të gjallë në Prishtinë. Mendojsha që krejt kanë shku”, ka deklaruar Bedri Sadiku.

E me lirinë “Kohën Ditore” po e priste një mision i ri.