Arbëri

Kthehet në rigjykim rasti i të vetmit zyrtar të lartë të dënuar me burgim për korrupsion

Gjykata Supreme ka vendosur ta kthejë në rigjykim në shkallë të dytë rastin ndaj Shukri Bujës, që ishte dënuar me burgim efektiv për korrupsion, për shkelje të detyrës zyrtare sa ishte kryetar i Komunës së Lipjanit.

Gjykata Themelore e kishte dënuar me dy vjet burgim Bujën për rastin e njohur si “Feronikeli”. Ai ishte dënuar për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi. Ndërkaq, më vonë Apeli kishte zbutur dënimin. Ai e dënoi Bujën me një vit burgim dhe dënim plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose shërbim publik prej dy vjetësh.

Ndërkaq, në një komunikatë për media, Supremja ka njoftuar se më 17 mars ka vendosur që të miratojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së mbrojtësve të Bujës duke anuluar aktgjykimin e Themelores dhe të Apelit, e duke e kthyer çështjen në shkallën e dytë në rigjykim.

Buja ishte i vetmi zyrtar i lartë i dënuar me burgim efektiv për korrupsion në 5 vitet e fundit në Kosovë.