Katër avokatët Osman Havolli, Vehbi Beqiri, Hajrip Krasniqi dhe Blerim Ademaj, që kanë garuar për t’u bërë pjesë e Këshillit Prokurorial të Kosovës, janë në konflikt interesi, ka vlerësuar Agjencia Kundër Korrupsionit.
Kjo Agjenci ka konstatuar se aplikimi i avokatëve, që janë edhe pjesë e Këshillit Drejtues të OAK-ut, është në kundërshtim me ligjin për parandalimin e interesit.
“Anëtarët e Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve nuk duhet të jenë kandidatë për anëtarë të KPK-së, për faktin se anëtari i KPK-së nga radhët e OAK-së, përveç që zgjidhet nga Këshilli Drejtues, edhe i raporton Këshillit Drejtues lidhur me angazhimet e tij në KPK”, thuhet në arsyetimin e opinionit të AKK-së, raporton KOHA.
Gjithashtu AKK-ja, duke përmendur nenin 17 të Ligjit për parandalimin e interesit në opinion, thekson se kandidatët në garë për këtë pozitë janë në konflikt interesi, pasi të njëjtit kanë marrë pjesë personalisht në diskutim, në votim dhe në vendimin për rishpalljen e interesit dhe më pas kanë aplikuar për pozitën anëtar i KPK-së.
Nga 11 kandidatë sa ishin në garë, emrat e Blerim Ademajt dhe Qëndrim Arifit kishin shkuar si propozime në Komisionin për Legjislacion.
Por ky komision pas opinionit të AKK-së ka kërkuar nga Oda e Avokatëve të sjellë emra të rinj në garën për t’u zgjedhur anëtar të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Ndërkohë në një përgjigje me shkrim nga Oda e Avokatëve kanë thënë se normativa e OAK-ut nuk përcakton ndonjë dispozitë që ndalon që anëtarët e Këshillit Drejtues të jenë kandidatë potencialë.
“Në procesin final nuk kanë qenë në garë tre anëtarë nga Këshilli Drejtues, por vetëm një. Tutje është kompetencë e Kuvendit te Kosovës-Komisionit për Legjislacion të procedojë tutje”, thuhet tutje në një përgjigje të OAK-ut.
Megjithatë, kandidatët Havolli, Beqiri dhe Krasniqi i kanë thënë KTV-së se janë tërhequr paraprakisht nga kjo garë.
Derisa avokati Blerim Ademaj ka thënë se nuk është pajtuar me opinion e AKK-së dhe për këtë i ka dërguar letër komisionit për legjislacion duke e theksuar aty se nuk ka qenë anëtar i Këshillit drejtues në kohën e shpalljes publike dhe se nuk ka marrë pjesë në votim për anëtar të KPK-së.