Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika të shumta kundrejt qeverisë aktuale, në krye me Avdullah Hotin, pas publikimit të Raportit të Progresit për vendin për vitin 2020, ku evidentohen mangësi të shumta në rrugën e Kosovës drejt BE-së, raporton KOHA.
Taulant Kryeziu nga kjo parti vlerëson se Kosova mbetet e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
"Kosova fatkeqësisht mbetet vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor drejt BE-së. Ne jemi edhe prapa Bosnjës. Duhet thënë që rrugëtimi drejt BE-së kryefjalë të saj e ka sundimin e ligjit. Ne jemi shumë të kënaqur me gjuhën që raporti ka përmendur për Qeverisjen Kurti", tha ai.
Përkundër mangësive të shënuara në këtë raport, Kryeziu thotë se qeverisja gjatë kohës së Albin Kurtit, dhe vendimet e marra në këtë kohë përmenden pozitivisht në raport.
"Raporti kur flet për Qeverinë Kurti, flet për zhvillim ekonomik, përkushtim në reforma evropiane, për çlirim të bordeve, ndërsa kur i adresohet qeverisë jo legjitime Hoti, përfundon dhe fillon tek dialogu me Serbinë. Procesi i integrimit nuk është dialogu me Serbinë, problemi kryesor, sfida kryesore e jona është sundimi i ligjit", theksoi ai.
Ndërkaq, deputetja Fitore Pacolli, tha se “këta që sot janë në Qeveri nuk kishin interes dhe vazhdojnë të mos kenë interes që ta lejojnë Kosovën të ec tutje në rrugën evropiane”.
“Fraza më e përdorur në raportet e tilla mbetet fraza e mungesës së vullnetit politik. Një konstatim të tillë ku flitet për një Qeveri që ka planprogram për luftimin e korrupsionit Kosova nuk ka pasur në historinë e saj. Ky raport është shume me rëndësi si del, çka përmban e kush e lexon. Ky raport determinon bashkëpunimin tonë bilateral me shtetet e BE-së, veç e veç. E cili shtet normal ka vullnet të bashkëpunoj me një shtet që është i zhytur në korrupsion, dhe që nuk ka qëllim ta përmirësojë vetveten”, tha ajo.