Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka deklaruar se moscertifikimi i Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket më tepër si vendim i motivuar politikisht, e jo si i bazuar në kriteret ligjore.
Ai ka shkruar në Facebook se certifikimi i partive nuk duhet të ngatërrohet me qëndrimet politike apo me deklaratat individuale të anëtarëve të partive.
Sipas Kryeziut, KQZ-ja s'duhet të ndërhyjë mbi kriteret që janë kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Moscertifikimi i listës Serbe, duket më shumë si vendim i motivuar politikisht sesa i bazuar në kritere ligjore. Ky rast është një ndër disa raste të tilla, kur KQZ-ja ka marrë vendime të ngjashme, por që më vonë janë ndryshuar apo rrëzuar nga PZAP-ja, çka dëshmon mungesën e koherencës dhe profesionalizmit në punën e këtij institucioni. Zyra për Regjistrimin e Partive Politike ka rekomanduar certifikimin e këtij subjekti, duke konstatuar se ai i plotëson kriteret ligjore. KQZ-ja fo duhej të mbështetet në këtë rekomandim dhe udhëzinet e ibstirucioneve tjera dhe të veprojë në përputhje me ligjin. Nuk duhet të ngatërrohen qëndrimet politike apo deklaratat individuale të anëtarëve të një partie me kriteret për certifikim. Nëse kjo praktikë do të zbatohej për të gjitha partitë, atëherë shumë prej tyre nuk do të duhej të certifikoheshin”, ka shtuar ai.