Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka marrë vendim për masa shtesë për rritjen e sigurisë në këtë qytet.
Ky vendim është marrë pas dy rasteve të fundit të vrasjeve në Vushtrri.
Me kërkesë të Drejtorisë së Arsimit, ai ka thënë se kanë marrë masa shtesë me qëllim sigurimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit dhe qytetarët.
Idrizi ka njoftuar se gjatë së mërkurës Policia ka realizuar kontrolle në disa institucione arsimore, përfshirë shkollat “Lutfi Musiqi”, “Bahri Haxha” dhe “Eqrem Çabej”.
“Kontrollet u realizuan me qëllim të verifikimit të sigurisë dhe për të siguruar që nuk kishte asnjë kërcënim të mundshëm për nxënësit dhe mësimdhënësit. Gjatë këtyre kontrolleve, nuk është hasur asgjë e dyshimtë”, thuhet në shkrimin e Idrizit.
Më 23 mars një 19-vjeçar mbeti i vrarë në Vushtrri nga një bashkëmoshatar i tij, vetëm një ditë më pas një burrë ka vrarë një grua e më pas veten në nënkalim të fshatit Stanoc.