Arbëri

Kryetari i Vitisë padit zyrtarët e Vetëvendosjes, u kërkon 100 mijë euro kompensim

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka ushtruar padi ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku, ish-kandidatit për kryetar të kësaj komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arsim Ademi si dhe ndaj zyrtarit të kësaj partie në Viti, Bislim Bislimaj, për siç thuhet, shpifje që bërë ndaj tij gjatë kohës së zgjedhjeve lokale në Viti.

Sipas padisë së 11 nëntorit 2021, thuhet se të paditurit Nijazi Isaku, Arsim Ademi dhe Bislim Bislimaj, në konferencat për shtyp të dhëna në një medium lokal në Viti, me vetëdije të plotë kishin dhënë deklaratë me motive nënçmuese kundër paditësit Sokol Haliti dhe zyrtarëve tjerë komunalë, duke përhapur deklarime të pavërteta dhe kanë tentuar të dëmtojnë reputacionin e paditësit.

Në padi thuhet se, i padituri i parë Arsim Ademi, në cilësinë e kandidatit për kryetar të Komunës së Vitisë nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të 2021-tës, me qëllim të dëmtimit të personalitetit, duke i bërë linçim publik kryetarit të Komunës, tani paditësit dhe zyrtarëve publikë, në televizionin lokal ka dhënë deklaratë ku thekson se “kemi një grup kriminal që keqpërdorë buxhetin e Komunës së Vitisë. Qytetarët e Vitisë e kanë në sy këtë servil që ju lepitet qytetarëve të Vitisë me punë të vogla kinse jam pranë juve, sa për sy e faqe, vetëm sa për t’ua marrë votën dhe për vjedhur e plaçkitur në emër të votës së tyre”.

Tutje në padi thuhet se edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku, në konferencën për shtyp të dhënë në të njëjtin medium lokal më 7 nëntor 2021, në po të njëjtën formë ka shpifur dhe fyer kryetarin e Komunës, Sokol Halitin si dhe zyrtarët e tjerë të Komunës, duke ia mëveshur rastin e inskenuar lidhur me “dhunimin e të miturës”.

Në këtë padi thuhet se edhe i padituri i tretë, Bislim Bislimaj, në konferencën për media, ka akuzuar në mënyrë jo njerëzore, duke e quajtur “Monstrum”, paditësin Haliti dhe shefin e kabinetit të tij, Jakup Haxhiun, duke thënë “të njëjtit e kanë vendin në çmendinë dhe jo në burg”, kinse të njëjtit kanë të bëjnë me inskenimin e rastit të dhunimit të të miturës, të cilat shpifje janë të pabaza dhe denigruese.

Sipas padisë, këto deklarata tani paditësit i kanë shkaktuar dëme të mëdha si në emër, ashtu edhe në reputacionin e tij, i cili thuhet se e ka në opinionin publik.

Me anë të kësaj padie, kryetari Haliti po kërkon nga gjykata që të aprovohet në tërësi padia e tij dhe të obligohen të paditurit që t’ia kompensojnë shumën prej 100 mijë euro.

Po ashtu, me anë të padisë ai po kërkon që të obligohen të paditurit që t’i kërkojnë falje publike. /BetimipërDrejtësi