Arbëri

Kryetari i Prishtinës ua mbyll qasjen e vetme dy mediumeve kombëtare

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, mori vendim për t’i mbyllur për qarkullimin e automjeteve rrugicat te Biblioteka kombëtare, duke ia bllokuar qasjen dy mediumeve kombëtare, Radio Televizionit të Kosovës dhe Grupit KOHA, që ndodhen në objektin që menaxhohet nga Agjencia e Privatizimit. Për drejtuesit e këtyre mediumeve, vendimi përbën pengim në misionin për informim të publikut. Ata kërkuan nga Komuna që të reflektojë dhe ta tërheq mbrapa këtë vendim.

Pas mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, mori vendim që nisur nga 1 shtatori të mbyllë edhe qasjen e vetme për qarkullim që e ka stafi i dy mediumeve kombëtare, ai i RadioKosovës dhe Grupit KOHA.

Me vendimin e publikuar një ditë më parë, është bërë e ditur se do të mbyllen për qarkullim të mjeteve motorike rrugët dhe rrugicat që kalojnë apo dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare. Me këtë, i bllokohet qasja edhe Rektoratit të UP-së.

Këtë vendim, drejtori i RadioKosovës, Arsim Halili, e kualifikon si të papranueshëm dhe thotë se Komuna duhet të reflektojë dhe ta tërheqë atë, pasi që në këtë formë u bllokohet puna tri mediumeve.

“Komuna e Prishtinës duhet të mendojë dhe ta shfuqizojë këtë vendim për shkak se RTK-ja si transmetues publik ka për mision informimin e publikut, e informimi i publikut nuk mund të ndodhë nëse kemi barriera të tilla ndaj mediumit. Autoritetet lokale në vend se të mendojnë si ta lehtësojnë punën e mediave, në anën tjetër ato e pamundësojnë funksionimin e tyre. Në këtë rast pamundësohet edhe realizimi i misionit tonë për të informuar opinionin për ngjarjet që ndodhin”, tha Halili.

Mbyllja e qasjes në pronën që është nën menaxhim të AKP-së e jo të Komunës, sipas drejtoreshës menaxhuese të Grupit KOHA, Flaka Surroi, është pengim i posedimit dhe po ashtu, pengim i punës së mediumit kombëtar KTV.

“Nuk e di a me ble helikopter, dron a raketë që e bart veturën e reportazhit dhe ekipet që dalin në terren. Kryetari i Prishtinës ka marrë vendim të mbyllë qasjen e vetme që dy mediume kombëtare kanë për t’iu qasur hapësirës ku veprojnë, pra ndërtesës së ish-Radio Prishtinës. Pra, kryetari Rama ka vendosur ta mbyllë qasjen nga kampusi universitar, pavarësisht faktit se ajo, megjithatë, nuk është pronë komunale - dhe nuk ka ofruar alternative”, ka shkruar Surroi në Facebook.

Sipas saj, nuk mund të imponohet dhunshëm parkimi i veturave zyrtare që tash parkohen në parkingun e Radios, në Parkingun nëntokësor.

KOHA kërkoi përgjigje edhe nga Rektorati i UP-së lidhur me vendimin e kryetarit të Prishtinës, porse nuk ka marrë përgjigje gjatë të martës.

As nga Komuna e Prishtinës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS, ani se nëpërmjet telefonit, nënkryetari i këtij institucioni, Alban Zogaj, tha se do të ofrojnë përgjigje me shkrim.

Rruga “Xhorxh Bush” është mbyllur për qarkullimin e veturave më 23 nëntor, duke e lejuar vetëm qarkullimin e autobusëve të linjës urbane dhe taksive. Mbyllja u bë me rastin e hapjes së parkingut nëntokësor brenda kampusit universitar.

Pas mbylljes së qasjes në rrugën kryesore, të dy mediumet kanë kërkuar nga Komuna që të lejohet qarkullimi, por se këto kërkesa nuk janë aprovuar.