Arbëri

Kryetari i Prishtinës paralajmëron ta dërgojë në Kushtetuese buxhetin e 2023-tës

Komunës së Prishtinës mund t’i merren 38 milionë euro të cilat nuk u shfrytëzuan nga udhëheqësit lokalë, por u bartën nga viti në vit.

E njëjta mund të ndodhë me të gjitha komunat nëse miratohet projektbuxheti për vitin 2023, i cili në nenin e 6 thotë se: “të gjitha të hyrat vetanake të komunave të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara bëhen pjesë e fondit të Kosovës në bilancin bankar”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se 38 milionët e bartura para se ai të bëhej kryetar u takojnë qytetarëve të Prishtinës dhe duhet të mbesin për projekte të komunës.

“Të hyrat vetanake të kryeqytetit janë prej taksave të qytetarëve të kryeqytetit dhe duhet të jenë të destinuara për projekte të kryeqytetit. Ato nuk mund të tjetërsohen, të shkojnë në nivel qendror dhe të shkojnë në komuna të tjera. Ne kemi projekte të lidhura me këto të hyra dhe çka do të ndodhë me këto plane nëse paratë tjetërsohen”, ka deklaruar ai.

Rama kërkon nga deputetët që të mos e kalojnë projektbuxhetin me këtë pikë, duke thënë se me të shkelet Ligji për financat e pushtetit lokal dhe Kushtetuta e vendit, e cila të drejtën e menaxhimit të të hyrave vetanake ua lejon komunave.

Kryetari i Prishtinës thotë se do të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese nëse buxheti kalon në Kuvend.

“Është kundërkushtetuese dhe nëse kalon, ne do të shkojmë në Kushtetuese. Iu kemi bërë thirrje të gjithë deputetëve të mos e kalojnë se është kundërligjore dhe është kundër kryeqytetit dhe qytetarëve të Prishtinës. Ato fonde duhet të mbesin në Prishtinë”, ka theksuar Rama.

Vendim antiligjor që bie ndesh me dy ligje në fuqi e ka quajtur projektbuxhetin Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Udhëheqësi i tij, Sazan Ibrahimi, ka thënë se një veprim i tillë e shkel autonominë e komunave dhe nuk ka logjikë që taksat e qytetarëve të një komune të shkojnë si investime në një komunë tjetër.

“Qeveria tenton t’i marrë dhjetëra miliona euro nga komunat. Fajin për mosshpenzim të buxhetit nga Komunat e mban edhe Qeveria, e cila e vonoi funksionalizimin e bordit të OSHP-së, si dhe ka ndaluar komunat të bëjnë rishikim të buxhetit. Asnjë komunë nuk mund të shpenzojë buxhetin në 100%”, ka thënë Ibrahimi.

Por në seancën e Kuvendit të mbajtur ditë më parë, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se nuk mund të lejojnë qe mjetet të barten pafundësisht nga viti në vit duke sqaruar se bëhet fjalë për mjetet e grumbulluara para vitit 2022.

“Ne kemi rritur buxhetin e komunave në 660 milionë euro. Ky nen sqaron keqkuptimet e të kaluarës. Mjetet do të vazhdojnë të barten. Pra ato të vitit aktual barten në vitin 2023. Mund të jetë 10 centë që janë bartur nga viti 2018 dhe ato nuk mund të barten pafundësisht sepse janë bartur një herë. Ky është dallimi, nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje dhe vetëm sqarim për mjetet e bartura”, wshtw shprehur Murati.

Projektligji për buxhetin ka kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvend dhe si afat të fundit për miratim ka 31 dhjetorin.