Arbëri

Kryetari i Pejës sulmohet fizikisht nga dy persona

Gazmend Muhaxheri

(E përditësuar 15:21) - Prokuroria do të kërkojë "me ngulm" paraburgimin e personave që sulmuan Muhaxherin

Nga Prokuroria Themelore e Pejës kanë thënë se dy të arrestuarve për sulmin ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe se nesër prokurorja e rastit do të kërkojë “me ngulm” caktimin e masës së paraburgimit. 

“Aktualisht prokurorja e çështjes është duke përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ndërkaq të gjitha veprimet e tjera janë duke u bërë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës për t’u sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj çështje penale. Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave po bëhet për veprën penale ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’ ku nesër në 9:30 do të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake me ç’rast prokurorja do të kërkojë me ngulm që t’u caktohet masa e paraburgimit”, ka thënë Shkodran Nikçi për KOHËN. 


Kryetari i Pejës sulmohet fizikisht nga dy persona

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, të shtunën në mëngjes është sulmuar fizikisht nga dy persona, ka konfirmuar Policia e Kosovës. Sipas Policisë, dy të dyshuarit janë arrestuar menjëherë pas sulmit.

Muhaxheri ka pësuar lëndime trupore në incidentin që ka ndodhur në rrugën “Bill Klinton”.

Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Për rastin ka reaguar menjëherë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ka kërkuar nga organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta pas sulmit fizik ndaj kryetarit të Pejës.

Në një status në Facebook, Abdixhiku ka thënë se këto sulme nuk do ta ndalin e as ta frikësojnë Muhaxherin.

“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë! Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”, ka shkruar ai.

Pas sulmit, edhe vetë Muhaxheri, i cili po udhëheq Pejën qe tri mandate, ka shkruar në Facebook, duke thënë se është shëndosh e mirë.

“I rrethuar mes miqve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falenderoj të gjithëve për interesimin”, ka shkruar ai.

Në një reagim tjetër, LDK-ja e dënoi ashpër sulmin ndaj Muhaxherit, duke thënë se veprime të tilla nuk i shërbejnë demokracisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës me shqetësim pranoi lajmin për sulmin ndaj kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. LDK dënon ashpër këtë sulm të dhunshëm dhe po ashtu kërkon nga autoritetet rezultate të shpejta për këtë çështje si dhe personat të mbahen përgjegjës para drejtësisë. Sulme të tilla nuk i shërbejnë demokracisë dhe janë nxitëse në këtë periudhë. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë, dhe veprime të tilla kërcënojnë sigurinë dhe mirëqenien e udhëheqësve tanë.  LDK në këto momente qëndron me kryetarin Muhaxheri dhe familjen e tij”, thuhet në reagim.

E asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, Berat Ganiqi, ka publikuar pamje të shkurta nga ajo që thotë se është sulmi fizik ndaj kryetarit të Pejës.

Ganiqi ka shkruar se ka qenë i informuar se sulmin e ka nisur kryetari Muhaxheri, por pas videos, thotë se është bindur për të kundërtën.

“Jam kunder dhunës! Problemet nuk zgjidhën me dajak. Dhuna nuk zgidhe probleme! Diskutimet dhe debatët janë ato që zgjidhin problemet. Mendimet ndryshe duhet tolerohen dhe nuk duhet përgjigjur me dhunë! Kryetari nuk duhet sulmuar e as këto pamjet e shëmtuara nuk duhet rikthehen në Pejë. Mospajtimet zgjidhen me debate ndërsa në ketë rast mund të zgjidhen edhe me votë. P.s Video është publikuar ashtu siç është dërguar, në fillim jam informuar që kryetari e ka bërë sulmin por në video shihet ndryshe”, ka shkruar ai në Facebook. 

 

 


Avokati i Muhaxherit: Kryetari dyshon se sulmi lidhet me punën zyrtare

Dukagjin Kërveshi, avokati i Gazmend Muhaxherit, ka thënë se kryetari i Pejës dyshon se sulmi ndaj tij të shtunën në mëngjes lidhet me punën zyrtare.

Kërveshi ka shkruar në Facebook se i beson efikasitetit të organeve të drejtësisë dhe pret që sulmuesit të marrin dënimin e merituar.

“Në cilësinë e avokatit të Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, njoftoj opinionin se sot rreth orës 8:40 në qytetin e Pejës në vendin e njohur si ‘Qendra Zejtare’ pasi i njejti kishte pirë kafe me një familjar të tij, në largim e sipër, kryetari Muhaxheri ishte sulmuar nga dy persona fillimisht të panjohur. Sulmi kishte qenë i befasishëm. Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare. Gjendja e Kryetarit është stabile. Duke besuar në efikasitetin e oragneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës presim që sulmuesit të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e merituar!”, ka shkruar Kërveshi.