Për rreth tri orë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është përgjigjur në interesimin e prokurorëve të Prokurorisë së Specializuar të martën.
Në Hagë, ai ka zgjedhur që këtë ta bëjë gati larg syve të mediave, e kur ka përfunduar marrjen në pyetje, nuk ka dhënë shumë detaje në paraqitjen as 1 minutëshe para gazetarëve që e bëri nga një hotel në Holandë, raporton KTV.
Veseli në mbrojtje të tij ka marrë një avokat të njohur, por jo vendor.
Është ky britaniku Ben Simmons që ka mbrojtur një varg liderësh nga shtete të ndryshme, përfshi këtu edhe kryeministrin në largim Ramush Haradinaj para Tribunalit të Hagës.
Veseli nuk ka dhënë asnjë detaj se cili ka qenë interesimi i prokurorëve, por zgjodhi të flasë për luftën e UÇK-së, si organizim kundër dhunës së shtetit serb në Kosovë.
Ngjashëm, njëherësh ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, edhe para nisjes drejt Hagës nuk dha detaje për ftesën, duke mos bërë të ditur se në çfarë cilësie është ftuar.
Veseli, një prej themeluesve të UÇK-së dhe drejtues i Shërbimit Informativ të Kosovës, ishte paraparë të paraqitej në Hagë javën e kaluar, por intervistimi i tij u shty për shkaqe teknike.
Bashkë me Hashim Thaçin, Azem Sylën e Xhavit Halitin, emri i tij përmendet në disa raste në gjetjet e raportit të Dick Martyt, kryesisht për krime që pretendohet të jenë kryer në territorin e Shqipërisë.