Arbëri

Kryetari i “komunës më të suksesshme” ankohet ndaj Qeverisë

Sokol Haliti, kryetar i Komunës së Vitisë, është ankuar në bashkëpunimin e Qeverisë me komunat. Në një bisedë për emisionin “Sot” në KTV, Haliti të mërkurën ka thënë se Vitia ka qenë komuna që ka përmbyllur vitin më së miri në Kosovë, por që prapë s’ka përfituar asnjë projekt të ri nga Qeveria.

“Komuna e Vitisë s’mund të mos jetë e kënaqur për vitin që shkoi, sepse e ka përmbyllur vitin më së miri prej komunave në Kosovë. 99 për qind të buxhetit për investime kapitale e ka shpenzuar, të hyrat vetanake ishin 108 për qind, auditor gjeneral të pakualifikuar me rregullaritet të plotë ligjor dhe projekte të jashtëzakonshme që kemi kryer e që do të kryhen. Ka projekte kornizë disa vjeçare”, ka thënë Haliti.

Haliti ka përmendur disa rrugë që ka thënë se do të shtrohen sivjet, ndërsa ka kërkuar koordinim më të mirë me nivelin qendror.

“Ministrat është mirë me i hapë telefonat, t’i lexojnë kërkesat e të na caktojnë takimet. I kemi treguar edhe kryeministrit në takimin që patëm dje se ka ministria që s’janë lajmëruar e as telefonin s’na kanë hapur”, ka thënë Haliti.

Ai është ankuar se ka ministri që s’janë në koherencë me planet afatgjata të komunave, ndërsa ka thënë se komunat në disa raste as nuk konsultohen.

I ka quajtur të paligjshme anulimet e projekteve të nënshkruara nga ish-ministrat. Ai ka thënë se Vitia s’ka marrë asnjë projekt të ri nga Qeveria Kurti, ndërsa sipas tij është anuluar projekti për ndërtimin e çerdhes dhe ai për sistemin e ujitjes.

Haliti ka lavdëruar edhe mërgimtarët e Vitisë për kontributin në këtë komunë. Ka thënë se Vitia diasporës “vetëm hairin ua ka parë”.