Arbëri

Kryetari i Gjilanit kërkon të mos ndërtohet xhamia në Dobërqan gjatë pandemisë

Qeverisja komunale e Gjilanit u ka bërë thirrje banorëve të fshatit Dobërqan që në këtë periudhë të pandemisë të mos iniciojnë ndërtimin e xhamisë në fshatin e tyre.

Pushteti komunal thekson se në këtë periudhë energjitë duhet të shpenzohen në luftën kundër virusit COVID-19 dhe se nuk është koha që të miratohen iniciativa të tilla.

Por banorët e fshatit Dobërqan kanë deklaruar se ata janë duke zhvilluar punimet fillestare për ndërtimin e xhamisë pavarësisht kundërshtimeve të komunës. Ata kanë vlerësuar se thirrjet e komunës që të mos punohet në këtë periudhë të pandemisë nuk janë të arsyeshme.

Ndërkaq kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka deklaruar se ata po përballen me mungesën e oksigjenit nëpër spitale dhe se në këtë periudhë nuk është e nevojshme që të iniciohen projekte nga komuniteti por fokusi duhet të jetë lufta kundër virusit COVID-19.

“Nuk është koha me nis xhami pa lejen e Bashkësisë Islame dhe pa lejen e komunës në kohën kur ne përballemi me pandemi. Nuk është nevoja me nis asnjë punë tjetër komunale në kohën kur ne përballemi me mungesën e oksigjenit. Duhet të bëhemi konkret në kërkesë me kohën dhe duhet t’i angazhojmë krejt potencialet tona në këtë drejtim. Shembull aty ku ka dhënë leje Bashkësia Islame ose tjerët ne respektojmë, e lëshojmë vendimin mirëpo nuk lejojmë shkeljen e ligjit në pandemi dhe dekoncentrim me u marr me punë sekondare në një kohë që s’ka nevojë me u marr askush nga ne” ka thënë Haziri.

Ndërkaq banorët e fshatit Dobërqan deklarojnë se ata kanë filluar me punët fillestare në ndërtimin e xhamisë.

Shefki Bunjaku i cili është caktuar nga banorët si anëtar i komisionit në këtë projekt ka deklaruar se xhamia financohet nga mërgimtarët dhe nga komuniteti në Kosovë. Ai thotë se komuna dhe BIK-u nuk kanë shqyrtuar kërkesën e tyre në të kaluarën dhe për këtë arsye ata kanë vendosur që të fillojnë me punimet.

“Po sipas tyre në këtë kohë as nuk bën me ngrënë dhe as me pi. Jemi mbi 40 shtëpi dhe duam ta kemi xhaminë tonë. Kërkesë kemi bërë në BIK dhe komunë para 2 viteve por ata nuk e kanë shqyrtuar lëndën e kanë zvarritë. Banorët kanë tubuar paratë dhe kemi filluar punët në ndërtimin e xhamisë. Po kërkohet leja e ndërtimit mirëpo nuk mendoj se ky është problemi sepse kjo zgjidhet, e marrim” ka thënë ai.

Ndërkaq nga Bashkësia Islame në Gjilan deklarojnë se çështja e ndërtimit të xhamisë në fshatin Dobërqan është peng i procedurave.

Përfaqësuesi i BIK-ut në Gjilan, Agim Hyseni deklaron se prona në të cilën është planifikuar të ndërtohet xhamia është pronë private e cila duhet të bartet në emër të BIK-ut dhe më pas ata duhet të aplikojnë për leje të ndërtimit. Ai thotë se banorët e këtij fshati edhe në të kaluarën kanë bërë kërkesë për ndërtimin e një xhamie.

“Prona nuk është në emër të Bashkësisë Islame dhe që të ndërtohet xhamia fillimisht prona duhet të bartet ne emër të BIK-u dhe më pas duhet të aplikojmë për lejen. Krejt kjo është çështje e procedurave” ka thënë ai.

{gallery}