Arbëri

Kryetarët e komunave veriore takohen me ambasadorin Hovenier në orën 09:00

Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, do t’i takojë kryetarët e komunave të veriut në orën 09:00. Kështu i tha KOHËS kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri.

“Po, do të takohemi në orën 09:00, në zyrat e Bashkimit Evropian në Prishtinë”, deklaroi shkurtimisht ai.

Një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it gjendet para objekteve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut.

Janë vendosur edhe rrethoja me tela përgjatë perimetrit të objekteve të komunës. Ndërsa një numër i qytetarëve ka filluar të grumbullohet.

Për të hënën janë paralajmëruar protesta në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicës e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok.

Përfaqësuesit e Listës Serbe biseduan me pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Ata u kërkuan ta lirojnë Komunën e Leposaviqit në mënyrë që “punonjësit të kthehen në komuna”.

E pjesëtarë të Listës Serbe biseduan me ushtar të KFOR-it. Njëri ushtar ia ktheu “s’jam këtu për intervistë” dhe e ftoi brenda nëse do të bisedojë.

E në Zubin-Potok shtatë autoblinda të KFOR-it kanë ardhur para objektit të Komunës. Disa pjesëtarë të KFOR-it janë futur brenda objektit.