Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka përkeqësuar gjendjen financiare të komunave.
Në protestën e kryetarëve të komunave, pa mbështetjen e disave që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes, Aliu ka thënë se mesazhi i protestës është: “Mos ua merrni komunave, atë që iu takon qytetarëve”.
Aliu e ka akuzuar Qeverinë Kurti për “qasje selektive, jombështetëse e diskriminuese për komunat”.
Në fjalim ai ka kërkuar që Qeveria të marrë përsipër pagesën e kontratës kolektive, por edhe të normës prej 0.5 për qind për përvojën për punëtorët publikë, sipas Ligjit për paga.
“Kur dëmtohet buxheti, dëmtohen qytetarët. Kontratat kolektive janë negociuar në nivelin qendror pa pjesëmarrjen e komunave dhe faturat u janë bartur komunave. Nga viti 2022 deri më 2026, qindra miliona euro u janë marrë komunave. Do të ndërtoheshin shkolla, çerdhe, kanalizime, qendra sportive e të tjera. Do të mbështeteshin fermerë, bujq e familje në nevojë... Kompensoni komunat për mjetet e marra dhe t’i marrë përsipër financimin e obligimeve që burojnë nga vendimet dhe marrëveshjet e nivelit qendror”, ka thënë Aliu, teksa kur për normën prej 0.5 për qind për përvojë pune, ka kërkuar që “kostoja të mbulohet nga niveli i buxhetit qendror”.
VIDEO:
Edhe
Shtatë kërkesat e Asociacionit të Komunave për Qeverinë
“Të mos përsëritet skenari i kontratës kolektive. Kjo do të ishte falimentim dhe mbyllje e dyerve të komunave për shërbime të qytetarëve. S’mund të merrni vendime në nivel qendror e përgjegjësia financiare t’u bartet komunave pa asnjë konsultim dhe pa asnjë buxhet shtesë”, ka thënë ai.
Protestës i janë bashkuar edhe deputetët e Partisë Demokratike dhe të Aleancës, që protestuan në Kuvend për mokonstituimin.
Kërkesat kryesore të Asociacionit të Komunave të Kosovës janë mbrojtja e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, kompensimi i obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti i nivelit qendror, kompensimin e dëmeve nga vërshimet, financim të drejtë për komunat dhe ndalimin e, siç është thënë, ndërhyrjeve të nivelin qendror në autonominë lokale.