Arbëri

Kryetarë komunash apo deputetë?

Nga 10 kryetarët e komunave që kanë kandiduar për t’u bërë deputetë të Kuvendit, 3 i kanë siguruar mandatet. Derisa për vendimin nëse do ta mbajnë detyrën e kryetarit apo do ta zgjedhin atë të ligjvënësit, disa prej tyre thanë se do ta presin rezultatin përfundimtar, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka theksuar se do të jetë në krye të detyrës. Ai theksoi se kandidimin e ka bërë veç për t’i mbledhur vota LDK-së

Tre nga 10 kryetarët e komunave që kandiduan në zgjedhjet e 9 shkurtit, arritën të sigurojnë mandate deputeti, bazuar në verifikimin e votave të subjekteve politike nga mbi 96 për qind të vendvotimeve të numëruara.

Ulëse në Kuvend siguruan kryetari i Mitrovicës e kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, kryetari i Lipjanit nga LDK-ja, Imri Ahmeti dhe ai i Pejës nga po kjo parti, Gazmend Muhaxheri.

LVV-ja nuk e kandidoi asnjë kryetar komune. Pos Hamzës, PDK-ja nuk kandidoi tjetër kryetar, teksa LDK-ja 4 dhe AAK-ja 5.

Po që se nuk bëhet kryeministri, Hamza ka thënë për vendimin nëse do ta mbajë detyrën e kryetarit apo do ta marrë atë të deputetit do ta presë rezultatin përfundimtar.

“Me të thënë tash të drejtën nuk jam në pozicion me të dhënë një përgjigje, të jem i sinqertë, se mund të jetë paragjykuese. Po pres përfundimin e rezultateve zgjedhore dhe pastaj e shoh se cili do të jetë veprimi dhe mendimi im”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN.

E kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se do ta vazhdojë këtë detyrë e që kandidimi e bëri për t’i mbledhur vota LDK-së.

“Kam qëndrimin përpara të marrë, pa garuar. Nuk bëhem deputet vetëm kryetar. Këshilli i përgjithshëm i partisë ka vendosur t’i qesë kryetarët e suksesshëm për t’i mbledhur votat dhe në Pejë e kemi realizuar 110 për qind objektivin që na e ka qitë Këshilli i Përgjithshëm”, ka thënë ai.

KOHA kontaktoi edhe kryetarin e Lipjanit, porse ai nuk u lajmërua, prej dy ditësh.

Afër sigurimit të mandatit janë edhe kryetari i Vitisë nga LDK-ja, Sokol Haliti, e ai i Gjakovës nga AAK-ja, Ardian Gjini.

Gjini nuk u është përgjigjur telefonatave të KOHËS, e Haliti ka thënë se ende nuk ka një vendim.

“Është herët të flitet pa dalë rezultatet përfundimtare, ende nuk janë numëruar votat me kusht dhe ato të mërgatës, pastaj dalim me qëndrim”, ka deklaruar ai.

E kandidimin e kryetarëve në zgjedhje, analisti politik Shkodran Ramadani e ka kualifikuar si abuzim me vullnetin e qytetarit.

“Është një, deri diku mund të them, edhe abuzim me besimin e qytetarëve për shkak që, e para këtu kemi të bëjmë me një tjetërsim të vullnetit. Këta kandidatë edhe kryetarë që dalin dhe marrin vota në emër të kandidaturës për deputetë, në fund heqin dorë nga posti i deputetit, nëse e fitojnë, dhe kthehen në komunën përkatëse, ku ata qeverisin”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se kjo e dëmton edhe garën brendapartiake.

“E dyta, këta kandidatë që zgjidhen si kryetarë komunash, e pastaj edhe si deputetë, ua pamundësojnë figurave të reja që të depërtojnë në listën e partive politike dhe kështu digjen disa vende, të cilat do të ishin të mirëseardhura për figura të reja politike, për të freskuar radhët e një partie politike...” ka thënë tutje Ramadani.

Në 8 prej 10 komunave, në të cilat për deputetë garuan kryetarët, fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje.