Kryesia, e cila u mblodh pas dështimit të votimit për disa nga vendimet me rëndësi, që i kishte sot në rend të ditës, ka vendosur që seanca e Kuvendit të vazhdojë në orën 15:00.
Pas mbledhjes së Kryesisë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke njoftuar për vendimin që seanca të vazhdojë, u bëri thirrje deputetëve që të marrin pjesë në punimet e Kuvendit dhe të votojnë vendimet e ligjet me rëndësi për të ardhmen e Kosovës.
“Thërras deputetët që të shmangin bojkotin për arsye se bojkoti do të thotë varfërim i Kosovës, do të thotë mungesë e ligjeve për Kosovën. Keni parasysh vetëm në vonesat që jemi duke bërë në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare kemi të bëjmë me dhjetëra miliona të cilat janë të taksapaguesve evropian për qytetarët tanë, në të njëjtën kohë projektligje të cilat presin dhe e ndihmojnë qytetarin e Kosovës”, e citon RTK Veselin.
Ai përmendi projektligjin e noterisë, shërbimeve postare, ligjin për legalizimit që do t’i ndihmonte familjet e qytetarëve të Kosovës.
“Dëshira politike që është si vullnet politik pozitë-opozitë mos të konsumohet në kurriz të qytetarëve por të jetë një veprim që është legjitim opozitar, qoftë edhe një mocion mosbesimi për qeverinë aktuale por nuk është taktikë e mirë që të improvizohet brenda seancave se vullneti politik po ndërron në bazë të vullnetit individual. Ne në Kuvendin e Kosovës nuk jemi për deponimin individual por për dispononim e qytetarëve”, tha Veseli.
Sipas tij, në këto rrethana, Kuvendi do të shkojë në pushim shumë shpejt.