Shërbimet postare në Komunën e Zveçanit do të vazhdojnë pavarësisht se në objektin e Postës atje shpërtheu një granatë dore, ka thënë kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci.
Rraci e ka dënuar aktin duke bërë thirrje që organet e drejtësisë ta trajtojnë me seriozitet dhe t’i sjellin para drejtësisë autorët.
“Ky nuk është vetëm një akt kriminal ndaj një institucioni publik, por edhe një goditje ndaj sigurisë dhe paqes së qytetarëve tanë. Një sulm i tillë cenon jo vetëm infrastrukturën e një shërbimi publik jetik, por edhe ndjenjën e përkatësisë dhe besimit që kemi ndërtuar me mund e përkushtim për vite me radhë”, ka thënë ajo.
Rraci ka shtuar se 11 zyra postare janë hapur për të ofruar qasje të barabartë për të gjithë.
“Pavarësisht këtij sulmi, shërbimet postare në këtë komunë do të vazhdojnë. Qytetarët mund të përdorin zyrën postare Zveçan-1, e cila ndodhet në objektin e Komunës. Ndërkohë, zyra postare Zveçan-2 do të rikthehet së shpejti në funksion, falë përkushtimit të stafit tonë nga radhët e të gjitha bashkësive e me mbështetjen e institucioneve tona”, ka thënë tutje.