Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, ka folur për dëmet që kjo kompani ka pësuar nga kontratat e dëmshme që janë nënshkruar në të kaluarën.
Mujka ka thënë se një nga kontratat më të dëmshme ishte ajo për shitje të energjisë elektrike.
“Fatmirësisht ajo kontratë përfundon në fund të këtij viti. Kemi përllogaritur dëmet, por gjetëm rrugë të mesme për ta tejkaluar këtë sfidë. Është sfidë juridike, pasi kontrata është ndërkombëtare. Shkëputja kishte rrezikun e humbjes së rastit. Ne gjetëm hapësirë ku kontraktorit ia kemi liferu energjinë minimale, që e kishim me kontratë, ndërsa pjesën tjetër ia lamë në dispozicion KOSTT-it, respektivisht Qeverisë së Kosovës. Kontrata kishte furnizim 50 mijë megavat, plus qind për qind apo minus 20 për qind ishin kufijtë. I bjen minimum 40 mijë megavat liferim, e maksimum 100 mijë. Vitin e parë kemi prodhuar 100 mijë megavat, vitin e kaluar i kemi liferuar 41 mijë megavat. Këtë sasi planifikojmë të liferojmë edhe këtë vit. Kontrata është tashmë në hetuesi, e organet e rendit merren me to”, ka thënë Mujka në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka treguar se kontrata ishte trevjeçare.