Arbëri

Kryeministrit Kurti i zbulohet shtatorja në ditën e të dashuruarve

Shtatore në të gjallë i është vendosur në një pronë private kryeministrit Kurti më 14 shkurt. Në të njëjtën ditë, në një aksion simbolik para objektit të qeverisë është vendosur një pankartë me mbishkrimin “Zemër, ke dështu”, duke ironizuar me Kurtin në ditën e të dashuruarve

Kryeministrit Albin Kurti i janë organizuar dy “ceremoni” të ndryshme të mërkurën më katërmbëdhjetë shkurt.

Në ditën e të dashuruarëve, Formumi Rinor i LDK-së në një aksion simbolik ka vendosur një pankartë në formë të zemrës me mbikshrimin “Zemër, ke dështu”.

Ndërsa, rreth 30 kilomera tutje, i është vendosur një shtatore në të gjallë të tij. Kjo ceremoni është organizuar në pronën private të një mërgimtari në fshatin Peran të Podujevës.

“Po se kam çitë unë për ditë të t’dashuarëve se unë nuk i festoj këto data, po me 14 shkurt 2021 i ka fitua Albin Kurti zgjedhjet. Për qata u çitë kjo. Edhe ideja që na ka ardhë, na ka ardhë që i ka fitu zgjedhjet e dyta, me ba diçka edhe na, me e përgëzu dhe atë që u ardhë edhe e kanë ba këtë statujë”, ka arsyetuar veprimin e tij Sabahudin Uka. “Edhe Bil Klintonit për s’gjëlli ia ka çitë Qeveria e Kosovës. Unë me Albinin jemi si mocanik (kohanik v.j.), tash nuk e dimë cili vdes ma herët, a unë a Albini, tani me ba me dekë unë nuk muj ia çes, dhe kam deshtë me ia çitë tash që me e pas ai, se s’e di a ia çesin tani masanej a jo”.

Mërgimtari që jeton në Spanjë ka thënë se rreth 50 mijë euro i ka kushtuar shtatorja e Albin Kurtit, të cilin thotë se nuk e ka takuar kurrë.

“Prej që u ardhë Albni, jem t’u ba edhe investime këtu që me e pru firmën time që e kam atje, me e pru këtu edhe me jetu këtu. Për këtë e kemi çitë ‘shpresa e fundit’ aty, që me u kthy”, ka theksuar ai.

E, qytetarët që kanë marrë pjesë në këtë ceremoni private e kanë mirëkuptuar veprimin e këtij mërgimtari.

“E meriton me kanë e artë s’e jo që e kanë qit të bronztë. Albin Kurti është një ndër liderët më të fortë. Në burg kam nejt një muaj e tetë ditë me të këtu në Kosovë. Pastaj më 10 qershor ’99 na kanë transferua në Serbi”, ka thënë Mursel Ajvazi.

Ndërsa, Musa Ajeti ka thënë se po të pyetej Albin Kurti, nuk do të vendosj kjo shtatore.

“Kurrë, kurrë. Po t’ish pyet Albin Kurti, qysh e njoh unë Albinin kurrë s’ish ba. Po dëshira e tina është, e këtij personit në fjalë. I lumtë, e simpatizon, e ka dëshmu”, ka thënë Ajeti.

E në Prishtinë para ndërtesës së Qeverisë, Forumi Rinor i LDK-së e ka zgjedhur pikërisht ditën e të dashuruarve për ta kritikuar kryeministrin për punën trevjeçare.

“Sot në ditën e të dashuruarëve, jemi mbledhur këtu me një aksion simbolik për t’ia kujtuar Qeverisë se po u përfundon mandati me dështime në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Kosovë në çdo fushë”, ka thënë Paris Guri, kryetar i forumit rinor të LDK-së.

Qeveria nuk ka reaguar as për shtatoren në Peran e as për aksionin e LDK-së në kryeqytet.