Arbëri

Kryeministri spanjoll: Me pavarësinë e Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez deklaroi të hënën në Tiranë se me rastin e pavarësisë së Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare, prandaj nuk mund të jemi në favor të pavarësisë.

“Unë mendoj që miqtë e mirë, siç është Shqipëria dhe Spanja mund të kenë edhe mosmarrëveshje. Këtë gjë e kemi sepse mendojmë që një deklaratë e njëanshme për pavarësi, ne mendojmë që është shkelur e drejta ndërkombëtare, prandaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi. Këtë e themi me gjithë respektin që kemi për popullin shqiptar. Këtë nuk e ndajmë me Shqipërinë, por kjo nuk do të thotë që nuk jemi në krahun tuaj. Ne nxisim dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Edhe miqtë e mirë mund të kenë kontradiktat e tyre”, tha kryeministri i Spanjës.

Nga ana tjetër, Rama reagoi duke thënë se mendon të kundërtën, ndërsa shtoi se është në të drejtën e homologut të tij që të nxjerrë konkluzione ekstreme.

“Ju jeni në të drejtën tuaj të nxirrni konkluzione ekstreme, unë ju them se e kundërta është e vërtetë. Ushtrimi i sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit të Kosovës, bazuar në Marrëveshjen e dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk është një e drejtë, por është një detyrë e institucioneve të Kosovës. Unë mbështes qeverinë e Kosovës dhe i mbështes autoritetet në Kosovë që kërkojnë që marrëveshja të zbatohet. Nuk kam asnjë dilemë për këtë. E përgëzoj kryeministrin e Kosovës për sensin e vetëpërmbajtjes dhe për dëgjimin e aleatëve që sugjeruan një shtyrje 30 ditore, jo për të ndryshuar marrëveshjen por për ti dhënë kohës për tu sqaruar dhe kur marrëveshja të hyjë në fuqi mos ketë probleme”, u përgjigj Rama.