Arbëri

Hoti nuk zbaton vendimin që e nënshkroi vetë për ndalimin e tubimeve publike

Zyrtarët shtetërorë që vazhdimisht bëjnë thirrje për respektim të masave kundër COVID-19, në disa raste vetë nuk i kanë zbatuar ato. Duke nisur nga kryeministri dhe përfaqësues të partive politike kanë shkelur vendimin, i cili ndalon tubimet me më shumë se pesë persona. Këto sjellje shoqëria civile i vlerëson si shpërfillje të ligjit dhe si fyerje ndaj qytetarëve, në kohën kur situata me infektimet vazhdon të vlerësohet serioze.

 Kryeministri Avdullah Hoti ka shkelur vendimin që vetë e ka nënshkruar më 1 nëntor të këtij viti, i cili përcakton një sërë kufizimesh për t’u përballur me pandeminë. Të mërkurën Hoti kërkoi që masat kundër përhapjes së pandemisë të zbatohen me rigorozitet.

Por vetëm një ditë më vonë, të enjten, vetë Hoti nuk i ka respektuar masat, duke marrë pjesë në një tubim me shumë njerëz në Istog. Kreu i Ekzekutivit nuk ka zbatuar vendimin, i cili ndalon tubimet publike dhe grumbullimin e qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personave. Antigona Baxhaku, drejtoreshë e Zyrës për Komunikim me Publikun në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka arsyetuar shefin e Qeverisë duke thënë se tubimi i së mërkurës nuk është organizuar nga Qeveria, por nga Komuna e Istogut.

“Në të gjitha aktivitetet të cilat organizohen nga Zyra e Kryeministrit zbatohen në përpikëri të gjitha masat anti-Covid-19. Të gjitha vendimet e Qeverisë dhe masat konkrete anti-Covid -19 duhet të respektohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës pa përjashtim. Mbikëqyrjen e zbatimit të tyre nuk e bën Qeveria, por inspektoratet dhe Policia”, thuhet në përgjigjen e Baxhakut. Por kryetari i Istogut, Haki Rugova, i ka thënë KOHËS se në përurimin e shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova janë respektuar të gjitha masat. "Aty është një plate dhe numri i njerëzve ka qenë tamam. Tash unë qytetarët rrugës nuk mund t'i ndali. Gjithçka ka qenë në rregull aty, është respektu protokolli dhe të gjitha të mundshmet", ka deklaruar Rugova.

Pjesë e tubimit në Istog ka qenë edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Më herët Zemaj ishte pyetur nëse edhe në organizimet e Ministrisë nuk po respektoheshin masat, duke marrë parasysh numrin e madh të personave që e shoqërojnë pothuajse vazhdimisht. “Këto janë takime pune brenda institucionit. Atëherë e njëjta do të duhej të vlejë edhe për juve mediat, me u nda nga pesë, nga pesë, nga dy, nga tre”, kishte deklaruar Zemaj më 24 nëntor, gjatë vizitës së tij në Spitalin e Gjilanit. Në anën tjetër, situatat e tilla shoqëria civile i vlerëson si shpërfillje të ligjit dhe si tregues që vendimet e shtetit nuk vlejnë për të gjithë. Erblin Hoxha nga lëvizja “FOL” thotë se qytetarët që nuk i respektojnë masat gjobiten, por jo edhe politikanët. "Kjo është një fyerje pothuajse publike kundrejt qytetarëve ku kemi parë raste që qytetarët janë dënuar për mosmbajtje të rregullt të maskave gjatë ditës, ndërsa ata shkojnë në shtëpi dhe i shikojnë lajmet që pikërisht ata të cilët i kanë dhënë ato dënime thonë që këto duhet të respektohen, kur nuk i respektojnë vetë ato", është shprehur Hoxha.

Kurse Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se në këtë rast institucionet po veprojnë me standarde të dyfishta. “Kjo tregon që këto masa janë vetëm për qytetarët e thjeshtë, por nuk janë për politikanë dhe zyrtarë të lartë të shtetit dhe kjo e bën të pakuptimtë atë vendim që ndalon grumbullimin e njerëzve më tepër se 5 persona dhe njëkohësisht i bën të pakuptimta edhe dënimet që po u shqiptohen nga ana e policisë”, ka thënë Demhasaj. Kufizimet kundër COVID-19 nuk i kanë respektuar as Lidhja Demokratike e Kosovës e as Lëvizja Vetëvendosje gjatë zgjedhjeve për kryetar të Podujevës. Gjatë numërimit të votave më 29 nëntor, në zyrat e LDK-së kanë qëndruar më shumë se 5 persona në ambient të mbyllur. Kurse para selisë së LVV-së ishin mbledhur shumë simpatizantë të kësaj partie duke mos respektuar as distancën e kërkuar nga institucionet shëndetësore.