Arbëri

Kryegjyqtari Smith i përgjigjet mbrojtjes së ish-udhëheqësve të UÇK-së lidhur me përgjimin

Hashim Thaci Rexhep Selimi Kadri Veseli Jakup Krasniqi

Foto-Ilustrim: KOHA

Në fillim të seancës së të hënës në rastin më të madh të Speciales, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith i është përgjigjur kërkesës së përbashkët të mbrojtjes për të mos iu përgjuar komunikimet klient-avokat. Smith tha se asnjëherë nuk janë urdhëruar përgjime të tilla.

“Fillimisht do t’i lëshojmë dy urdhra me gojë. I pari ka të bëjë me kërkesën e përbashkët të mbrojtjes për mbrojtjes së privilegjit ligjor. Më 17 qershor 2024 të katërta ekipet e mbrojtjes dorëzuan njëherësh një kërkesë para këtij trupi gjykues si dhe gjyqtarit individual. Ishte një kërkesë e përbashkët e mbrojtjes për mbrojtjen e privilegjit ligjor…Më 28 qershor 2024 u përgjigj Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja nuk u kundërpërgjigj. Më korrik 2024 gjyqtarja e vetme lëshoi vendim mbi kërkesën e mbrojtjes për garantimin e mbrojtjes së privilegjit ligjor. Trupi gjykues po ashtu vëren që në vendimin e 16 korrikut 2024 gjyqtari I vetëm konfirmoi se nuk kishte bërë monitorim të komunikimeve të privilegjuara në asnjë formë as të bisedave personale as të telekomunikimeve as të korrespondencës me shkrim dhe as të dokumentacionit (të shkëmbyer v.j) mes të akuzuarve dhe avokatëve të tyre në objektin e paraburgimit. Së dyti, garantojmë mbrojtjen që nuk ka asnjë urdhër për monitorim të komunikimit të tyre me të akuzuarit në asnjë formë në qendrën e paraburgimit”, tha Smith.

Të akuzuarit janë përgjuar paraprakisht në qendrën e paraburgimit.

Nëntorin e vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar pjesë të përgjimeve te dokumentet publike të gjykatës, ku pretendohet se të akuzuarit me përjashtim të Jakup Krasniqit i kanë çuar fjalë (përcjellë mesazhe) dëshmitarëve përmes vizitorëve të tyre duke i udhëzuar se çfarë duhet të thonë para gjykatës.

Të pandehurit e gëzojnë të drejtën për fshehtësi të plotë të komunikimeve me avokatët e tyre. Në Rregulloren e Procedurës dhe e Provave Para Dhomave Të Specializuara fshehtësia parashihet te

Garancitë minimale të përgjithshme

“Informacioni i siguruar në kontekstin e marrëdhënieve profesionale apo marrëdhënieve të tjera konfidenciale përcaktuar në rregullën 111, konsiderohet i privilegjuar dhe nuk u nënshtrohet masave hetimore, përveç nëse statusi i privilegjuar keqpërdoret për të kryer një vepër penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara dhe provat që kërkohen, kanë kontribuuar në kryerjen e asaj vepre penale”, shkruhet në rregullin 31.

Fshehtësia e komunikimit avokat-klient është parim i përgjithshëm juridik që gjendet në shumë sisteme ligjore dhe vlen edhe në e systemin e rregullt gjyqësor të Kosovës. Vetë kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova, pati thënë gjatë vizitës së saj të fundit në Kosovë se raporti avokat-klient është i shenjtë.