Kompania Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” u ka bërë thirrje qytetarëve për shfrytëzim racional të ujit të pijshëm.
Zëdhënësja e kësaj kompanie Arjeta Mjeku, në një intervistë për emisionin “Sot” në KTV, ka thënë se ka një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që e kanë keqpërdorur ujin e pijshëm.
Sipas saj keqpërdorues të ujit janë edhe konsumatorët e rregullisht i paguajnë faturat.
“Ka shtëpi që ndoshta janë pagues të rregullt të faturave të ujit, por kur ne shkojmë në kontrolle e inspektime gjejmë që ata kanë edhe dy a tre kyçje të tjera ilegale, që me to ujisin kopshtet e arat e tyre dhe kjo ndodh më së shumti në fshatra”, ka theksuar Mjeku.
Ajo ka treguar edhe se në cilat fshatra ka më shumë keqpërdorues të ujit. “Në fshatrat e gypit magjistral ‘Aalbanik Prishtinë’, në fshatrat e gypit magjistral ‘Aalbanik Podujevë’, por edhe në komunën e Shtimes, Lipjanit dhe në të gjitha zonat që ne i menaxhojmë ka keqpërdorues të ujit”, është shprehur Mjeku.
Ajo ka thënë se të gjitha ata konsumatorë që e keqpërdorin ujin e pijshëm do të gjobiten.
Mjeku ka theksuar se gjobat mandatore vitet e kaluara kanë qenë 100 euro për personat fizikë dhe 300 euro për personat juridikë.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e keqpërdorin ujin.
“Furnizimi tash për tash është i mirë, më një shpenzim racional të ujit të pijshëm, me një përdorim të drejtë të ujit të pijshëm, duke mos e keqpërdorur ujin, duke mos bërë kyçje ilegale në sistemin e rrjetit të ujësjellësit do të kemi furnizim stabil edhe gjatë stinës së verës, sepse tash për tash nivelin e ujit në liqenin e ‘Batllavës’ e kemi në kuotën maksimale, e ngritje kemi edhe në liqenin e ‘Badovcit’”, ka theksuar Mjeku.
Ajo ka thënë se gjendja aktuale e furnizimit me ujë të pijshëm është stabile,
“Gjendja po qëndron stabile, pavarësisht disa problemeve që i kemi pasur kohën e fundit për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, turbullimit të ujit në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’ nga i cili ne marrim ujin e papërpunuar”, ka theksuar Mjeku, duke shtuar se ai kanal nuk është në menaxhimin e KRU ‘Prishtina’”, ka theksuar Mjeku.
Ajo ka thënë se qytetarët vazhdimisht i kritikojnë ata se perse sa herë ka reshje shiu atyre u ndalet uji, por sipas saj pyetjet duhet të drejtohen nga ndërmarrja “Ibër-Lepenc”.