Kryeqyteti

KRU “Prishtina” paralajmëron se s’do të ketë tolerim nëse keqpërdoret uji

Kryeshefi i ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu, i ka rekomanduar qytetarëve që të gjejnë zgjidhje alternative për ujitje pasi ka thënë se s’do të tolerohen ata që keqpërdorin ujin.

Në emisionin “038” të KTV-së, Fetahu ka thënë se gjendja e liqeneve akumuluese është në nivelin më të mirë të mundshëm, por ka paralajmëruar për moskeqpërdorim të ujit.  

“Me vetëdijesim, me këshillim për konsumatorët që të fillojnë qysh tash për zgjidhje alternative kur uji iu duhet për ujitje apo për ndonjë gjë tjetër. Uji i ujësjellësit është i ndaluar të përdorët përveç se për pije në çdo muaj të vitit. Por gjatë verës, kur konsumi është më i madh, në bashkëpunim me kryetarët e komunave, i rrisim gjobat. Për këtë vit, e kemi rritur numrin e inspektorëve”, ka thënë Fetahu.

Ai ka thënë se nuk janë të interesuar për të vënë gjoba, por kur kërkohet nuk do të hezitojnë.

“I lus qytetarët të mos ta përdorin ujin përveç për pije, përndryshe masat tona janë të patolerueshme”, ka deklaruar kryeshefi i KRU “Prishtina”.

Fetahu është shprehur shumë i kënaqur me shkallën e inkasimit për vitin 2023 dhe tre muajt e parë të vitit 2024. Sipas tij, janë kaluar pritshmëritë dhe për këtë falënderoi konsumatorët që paguajnë faturat.

Fetahu ka treguar edhe kur KRU “Prishtina” e dërgon një konsumator te përmbaruesi.

“Nëse tre ose katër fatura nuk paguhen, e kalon 30 euro, e dërgojmë në përmbarim. Por paraprakisht, i telefonojmë dhe i japim vërejtje me shkrim, pastaj vazhdojmë te përmbaruesi nëse nuk reflekton as pas thirrjes dhe vërejtjes me shkrim”, ka shtuar ai.