Arbëri

KRPP-ja dështon t’i monitorojë kontratat shumëmilionëshe

Institucioni që është përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave publike të lidhura mes institucioneve dhe operatorëve ekonomikë ka dështuar të përmbushë në mënyrë të plotë dhe efektive këtë funksion, vlerësojnë njohësit e fushës. E mosmbikëqyrja e kontratave nga KRPP-ja hap rrugën për keqpërdorim të tyre

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) nuk e ka vënë në funksion rolin e tij mbikëqyrës dhe monitorues te të gjitha kontratat publike, siç e parasheh legjislacioni, kanë vlerësuar njohës të kësaj fushe.

Sipas nenit 81 të Ligjit për Prokurim Publik dhe nenit 74 të Rregullores për Prokurim Publik, KRPP-ja është përgjegjëse për të monitoruar nëse një kontratë është zbatuar në përputhje me kushtet e saj.

Por, sipas Ardit Dragushës, hulumtues i çështjeve të prokurimit në organizatën “Demokraci Plus”, ky institucion nuk ka kapacitete të mjaftueshme ta bëjë këtë.

“Ligjërisht po, parashihet. Rregullorja, legjislacioni sekondar e parasheh rolin e KRPP-së në mbikëqyrjen e menaxhimit të kontratave, por... kjo në praktikë nuk ndodh, sepse KRPP-ja nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të bërë monitorimin e zbatimit të kontratave, se ka shumë kontrata dhe aty ka shumë pak njerëz që punojnë”, ka thënë Dragusha.

E njohësi i çështjeve të prokurimit, Valmir Ilazi, ka theksuar se KRPP-ja ka dështuar të përmbushë në mënyrë efektive funksionin që ka.

“Realiteti tregon se KRPP-ja nuk arrin të monitorojë sistematikisht dhe në kohë reale zbatimin e të gjitha kontratave, gjë që krijon hapësirë dyshimi për mosfunksionim të mirë të këtij institucioni. Në shumë raste roli i KRPP-së mbetet më shumë formal sesa funksional, duke u kufizuar në mbledhjen e të dhënave nga institucionet kontraktuese, pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë ose analiza kritike të zbatimit të kontratave në terren”, ka thënë Ilazi.

Sipas Ilazit, mosmbikëqyrja e kontratave nga KRPP-ja hap rrugën për keqpërdorim të tyre.

“Moszbatimi strikt i këtij funksioni e bën sistemin e prokurimit të cenueshëm nga ndikime politike dhe korrupsioni. KRPP-ja duhet të tejkalojë rolin pasiv dhe të forcojë mekanizmat e kontrollit, përfshirë inspektimet në terren, ndëshkimin e shkelësve dhe rritjen e transparencës publike në lidhje me ecurinë e kontratave. Përndryshe, çdo përpjekje për reforma në prokurim do të mbetet sipërfaqësore”, ka thënë ai.

Prej ditësh KOHA ka adresuar pyetje në KRPP lidhur me numrin e kontratave që monitorohen gjatë vitit dhe nëse ky institucion ka kapacitete të mjaftueshme për t’i trajtuar ato, përgjigjet kanë munguar.

Në vitin 2024, bazuar në raportin vjetor të KRPP-së, janë nënshkruar gjithsej 10 mijë e 12 kontrata.