Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në mesditë erdhi në Kosovë.
I shoqëruar nga shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ai ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare të Bërnjakut, raporton KTV.
E prej këtu, qëndrimi i tij në veri është siguruar nga mbrojtja e afërt dhe njësia e policisë së Kosovës e njohur si FIT.
Vuçiqi thotë se Ujmani flet më së miri për betejat e rënda që kanë me shqiptarët.
Shpreson se do të mund të arrihet një marrëveshje për shfrytëzimin e ujit të këtij liqeni nga ana e shqiptarëve.
“Hidrocentrali i Ujmanit, i ndërtuar më 1981, është me rëndësi të madhe edhe për serbët, edhe për shqiptarët, dhe mendoj se në Ujman shihet në mënyrën më të mirë pesha e problemeve rreth Ujmanit dhe lufta e vështirë politike, për të cilën shpresoj se në të ardhmen një herë do të arrijmë t’i tejkalojmë ne dhe shqiptarët dhe të arrijmë marrëveshje në 100 vjetët e ardhshëm, në mënyrë që ata të jenë të kënaqur me ujin. Kjo për ne është rëndësishme, pa Ujman ska mbijetesë të njerëzve në Ibër-Kolashin, Zubin Potok”, ka thënë Vuçiq.
Ndërsa, kur u pyet për temën e korrigjimit të kufijve, Vuciqi tha se nuk ka çfarë të flasë pas asaj që është deklaruar nga Merkel.
“Deklarata e Angela Merkelit, e cila ka përsëritur qëndrimin e saj për integritetin territorial... nuk mendoj se këtu ka diçka të re dhe tash e di se shumica janë gëzuar, sidomos në Serbinë qendrore, kundërshtarët e mi politikë dhe të tjerët që nuk kuptojnë kur të angazhohen për një ide të tillë dhe kur janë kundër asaj që unë jam shprehur, se në fakt angazhohen për shtetin e plotë të pavarur të Kosovës... Fuqia ime është shumë minimale me atë të Merkel për t’u krahasuar me lideren më të madhe në Evropë, dhe nëse ajo thotë këtë, sigurisht nuk mund ta ndryshojmë. Ky është gëzim për Serbinë dhe të tjerët në rajon, por kjo nuk do të thotë se nuk mund t’i ndihmojmë popullit tonë dhe nuk do të thotë se nuk ekziston një pyetje dhe flasim për integritetin territorial 2008, apo 2018?”, shtoi Vuçiq.
Megjithatë, Vuçiqi thotë se do të jetë shumë vështirë për të arritur çfarëdo marrëveshjeje me Kosovën.
“Duket se këto gjëra do të zgjasin edhe për një kohë të gjatë, por detyra jonë para se gjithash, është të ruajmë paqen dhe të tentojmë të afrohemi drejt gjetjes së ndonjë zgjidhjeje, edhe pse mendoj se ky është proces pa kthim, të cilën nuk do të mund ta përfundojë as kjo gjeneratë e politikanëve, e as tjetra dhe gjenerata e tretë mund ta përfundojë. Me rëndësi është që të shikojmë në të ardhmen, pasi mendoj se kufijtë do të jenë më pak të rëndësishëm kur të bëhemi pjesë e Evropës”, tha Vuçiq.
Duke folur për anulimin e takimit të me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, ai ka thënë të mos e ketë nënçmuar as Thaçin dhe askënd tjetër, por që sipas tij, të tjerët e kanë nënçmuar veten, duke iu referuar këtu liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit.
Vizita e Vuciqit e përcjell nga shumë media nga Serbia ka vazhduar në Leshak dhe Leposaviq, në orët e pasdites, ndërsa të dielën ka thënë se fjalimin kryesor të tij do ta mbajë në veri të Mitrovicës.