Larg syrit të publikut janë takuar delegacionet teknike të Kosovës e Serbisë.
Takimi është zhvilluar në Berlin dhe vetëm kjo fotografi ka qarkulluar në media, ku shihet tani ambasadori Avni Arifi dhe shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj, Selim Selimi, raporton KTV.
As Arifi e as Selimi, nuk kanë dhënë ndonjë sqarim në tentimet e televizionit për të komunikuar me ta, por ndërkohë, vetë kryeministri Haradinaj ka folur për të.
Ai ka insistuar se për temë ka qenë vetëm ballafaqimi i shkallëve të zbatimit të marrëveshjeve të arritura nga dialogu teknik dhe nuk ka pasur diskutime për çështjen e asociacionit të komunave.
Bllokimin e dialogut, Haradinaj e ka lidhur me mosgatishmërinë e Serbisë për ta diskutuar njohjen e Kosovës.
Medieve serbe, një tjetër version ua ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit, takimi ishte përgatitor për Samitin e Parisit dhe nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.
“Marko Gjuriqin e kam dërguar unë në Berlin, që të marrë pjesë në mbledhjen përgatitore për Samitin e Parisit. E kam porositur që Serbia të jetë konstruktive, se me rëndësi është heqja e taksës anti-civilizuese, por shqiptarëve nuk u ka shkuar mendja ta heqin taksën dhe prandaj nuk ka rezultate”, ka thënë Vuçiqi.
Vuçiq është shprehur i sigurt që nuk do të ketë samit në Paris në fillim të korrikut, çka është konfirmuar edhe nga Kabineti i presidentit francez Emmanuel Macron dhe Qeveria gjermane më vonë gjatë ditës.
Për Deutsche Welle-n, zëdhënës të Qeverisë gjermane kanë thënë se takimi është shtyrë pa ndonjë afat, derisa do të vazhdojnë të mbajnë kontakte me Kosovën e Serbinë.