Bartësi i listës së kësaj partie, Enver Hoxhaj, por edhe folësit e tjerë në tubime sa herë përmendnin dy udhëheqësit e PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, që po gjykohen në Hagë elektrizonin masën e mbledhur më shumë se me secilin premtim. Hoxhaj tha se në sfida PDK çdo herë e ngre flamurin e UÇK-së dhe jo atë të bardhë. Ai ka kritikuar partitë e tjera që po premtojnë vaksina, por një premtim të tillë e ka bërë edhe vetë
Lipjan, 6 shkurt – Emrat e Hashim Thaçit e Kadri Veselit elektrizuan masën në tubimin e PDK-së në Lipjan më shumë se secili premtim i kësaj partie. Madje përmendja e këtyre emrave ngriti në këmbë disa herë pjesëmarrësit. I njëjti efekt krijohej edhe kur përmendej emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është shndërruar në kryefjalën e fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kandidati për kryeministër i kësaj partie, i cili deri më tani në tubime të tjera mbante veshur një duks me simbole të UÇK-së e PDK-së, të shtunën erdhi me kostum. Por Hoxhaj këto simbole nuk i hoqi edhe nga fjalimi i tij.
“Unë jam këtu që t’ju falënderoj si anëtarë dhe struktura për mbështetjen dhe besimin e madh, sepse keni ditur ta ktheni krenarinë në votë. Sot çka po shoh është që Lipjani e ka ndarë mendjen për fitoren e PDK-së. Arsyeja pse mbajmë flamurin e UÇK është me historinë tonë dhe PDK është parti që ka vizion, program, lidership dhe është UÇK-ja që edhe dhe në situata sa më të vështira që gjendet lidershipi i PDK-së, pikërisht atëherë ne nuk dorëzohemi”, tha Hoxhaj, e që pas tij të gjithë brohorisnin UÇK. Kandidati për kryeministër i PDK-së, edhe një herë tha se qytetarët e Lipjanit dhimbjen për krerët e PDK-së që janë në Hagë duhet ta shprehin në votë më 14 shkurt.
Hoxhaj, po ashtu, u kujdes që të kritikojë partitë e tjera për fushatë me vaksinën, derisa edhe vetë e premtoi sigurimin e saj.
“Nuk ka parti politike që është në gjendje ta sjellë vaksinën, me qenë në Qeveri e me premtuar në fushatë zgjedhore se e sjell vaksinën jo që është e turpshme, është e gërditshme, nuk mund të sillet, dikush në Qeveri e thotë, as Kurti e as Hoti, i pari që ka lejuar testet në veri prej Serbisë, e i dyti që ka pranuar vaksina prej Serbisë që janë me prejardhje nga Rusia”, u shpreh ai, derisa tha se vetëm ai mund ta sigurojë vaksinën për kosovarët.
Ai kritikoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën e Vjosa Osmanit, që po marshojnë në qytete, duke shtuar se ata do të mbesin ashtu pas zgjedhjeve.
Megjithëse Partia Demokratike e Kosovës ishte kujdesur që në secilën karrige të kishte maska, jo të gjithë i shfrytëzuan ato, dikush luante me maskën e dikush e mbante vetëm në duar. Kur filluan të vinin shumë njerëz, të rinjtë ishin mobilizuar që të shpërndanin maska. Madje edhe një person u bëri thirrje që të gjithë të vendosin, por kjo nuk u përfill aty.
Pa maskë para se të hynte në tubim i përshëndeti pjesëmarrësit edhe kandidati për deputet, e ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, i cili erdhi i pari aty. Pasi u përshëndet me mbështetësit ai e vendosi maskën.
Në këtë tubim i pranishëm ishte edhe Abelard Tahiri, po ashtu kandidat për deputet, por që nuk e mori fjalën në këtë tubim.
Në fund të tubimit erdhën edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, por që as nuk morën mundin t’ia rikujtojnë dikujt respektimin e distancës derisa po dilnin nga salla. Madje njëri nga zyrtarët policor hasi në dikë të njohur, pasi e përshëndeti disa persona.
Partia Demokratike e Kosovës të shtunën ka zhvilluar tubime zgjedhore edhe në komunat e Shtimes dhe të Suharekës.