Bursa studentëve, e përkrahje për bizneset ka premtuar të enjten Ferit Idrizi në Vushtrri, teksa ka shpërndarë programin e tij te qytetarët. Ndërkaq, përkrahje për gratë ka premtuar Shaqir Totaj në Prizren, kurse në Malishevë Isni Kilaj ka premtuar ndriçim publik e çerdhe për fëmijë
Me ecje nëpër sheshin e qytetit të Vushtrrisë e ka filluar fushatën e tij të enjten kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferit Idrizi, për kryetar të kësaj komune.
Bashkë me përkrahësit e tij, Idrizi ka vizituar disa nga bizneset e qytetit dhe ua ka dorëzuar qytetarëve programin e tij, duke u premtuar atyre mbështetje. Për rininë e Vushtrrisë, Idrizi ka premtuar përkrahje nëpërmjet bursave, të cilat ai bëri të ditur se do të ndahen në tri kategori.
“Unë do ta mbështes rininë në shumë dimensione, përmes sportit, përmes artit, përmes kulturës, përmes muzikës, si dhe përmes subvencionimit të bursave për studime që i kam paraparë në tri kategori të bursave. Një kategori e bursave është për ata të rinj që janë me gjendje të rëndë sociale, kategoria e dytë është për profile deficitare, si mjekësia e arkitektura, dhe kategoria e tretë për nxënës të shkëlqyeshëm të shkollohen jashtë vendit”, ka deklaruar Idrizi.
Për bizneset, ai ka premtuar heqje të taksave në hapësirat publike, të cilat ata i shfrytëzojnë aktualisht. Kjo lehtësi, sipas Idrizit, është për shkak të situatës së pandemisë me të cilën u ballafaquan bizneset.
“Ne i kemi kategorizuar bizneset duke filluar prej atyre që i shfrytëzojnë hapësirat publike, u kemi ofruar heqje të taksës për shfrytëzimin e hapësirave publike, për shkak të situatës së pandemisë që patën vështirësi bizneset. Një mbështetje tjetër e fuqishme që do të jetë për bizneset është zona industriale, të cilën e kemi targetuar në kodra të Baskjes, ku do ta përgatisim gjithë infrastrukturën për bizneset vendore, si dhe për bizneset e diasporës. E kemi paraparë zhvillimin ekonomik si një komponentë të përbashkët në mes të kapitalit dhe bizneseve vendore dhe bizneseve të diasporës, duke mos i përjashtuar edhe investimet e tjera direkte”, ka deklaruar Idrizi.
Ujë të pijshëm, ndriçim publik, rregullim të trotuareve e çerdhe për fëmijët ka premtuar Isni Kilaj, në fshatin Kijevë të Malishevës.
“Ne u premtojmë qytetarëve të Kijevës që Kijeva do të shndërrohet në një qendër administrative, kulturore, dhe se me ne, Kijeva do të ketë ujë të pijes, do të ketë drita 24 orë, do të rregullojmë sheshin në qendër, do të rregullojmë trotuaret, ndriçimin, një çerdhe të fëmijëve”, ka thënë Kilaj.
Ndërsa në Prizren, kandidati i PDK-së për këtë komunë, Shaqir Totaj, u ka premtuar grave se do t’u krijojë kushte për t’i forcuar bizneset e tyre.
“Ne e dimë rëndësinë dhe specifikën që duhet t’i kushtojmë kujdes të jashtëzakonshëm në mënyrë që të krijohen kushte që gratë të kenë mundësinë të zhvillojnë afinitetet e tyre, të japin kontributin e vet në pozita vendimmarrëse në pozita të rëndësishme për shkak se as shtëpia, as qyteti e as shteti e as partia nuk mbahen pa gratë”, ka deklaruar Totaj.
Në kuadër të fushatës, Naim Ismaili ka prezantuar në Shtime projektin e një çerdheje.
“Së shpejti në Shtime pritet hapja e dyerve të çerdhes së re moderne me hapësirë të brendshme prej 1.860 metra katrorë. Në këtë kopsht do të kenë mundësi të regjistrohen rreth 166 fëmijë të komunës sonë. Ky kopsht do të funksionojë dhe do të zbatojë të gjitha politikat dhe standardet evropiane për edukimin e hershëm të fëmijëve tanë”, ka shkruar kandidati Ismaili në “Facebook”.
Teksa, në Kaçanik, kryetari aktual dhe njëherësh kandidati i PDK-së për edhe një mandat ka shpërndarë një video-xhirim në “Facebook” me pamje të ndryshme të qytetit.