Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Gashi premton zyrë informuese për diasporën e mbështetje për bizneset

Kryetari i Iniciativës Qytetare për Obiliq, Xhafer Gashi, ka premtuar zyrë informuese për diasporën, si dhe organizim të kampit veror. Po ashtu, Gashi është zotuar se do t’i mbështesë edhe bizneset në qytetin e Obiliqit.

Kryetari i Iniciativës Qytetare për Obiliq, Xhafer Gashi, ka vazhduar fushatën e tij me premtime për diasporën.

Krijimi i zyrës informuese për qytetarët e Obiliqit në diasporë dhe organizim të kampit veror për ta, ishin dy premtimet e tij për bashkatdhetarët.

“Në çdo kohë kam takuar dhe biseduar me bashkatdhetarët tanë, përherë kanë shprehur entuziazmin e tyre se Obiliqi është në rrugën e drejtë e të duhur të ndryshimit e zhvillimit, prandaj në platformën tonë qeverisëse, vend të veçantë do kenë bashkatdhetarët që gjenden në mërgim”, ka premtuar ai.

Po ashtu, Gashi është zotuar se në mandatin e ardhshëm do të ketë përkrahje më të madhe për bizneset. Ka premtuar edhe ndërtimin e qendrës rinore.

Në programin e Gashit përfshihet edhe subvencionimi i aktiviteteve sportive, kulturore e rinore.