Partia Demokratike e Kosovës kërkoi mbështetje në Kamenicë e Gjilan me porosinë se vota për PDK-në është votë për UÇK-në. Bartësi i listës së kësaj partie, Enver Hoxhaj, u kërkoi përkrahësve që dhimbjen për Thaçin e Veselin që gjenden në Hagë, ta përkthejnë në vota. As të premten nuk pati respektim masash anti-COVID në tubimet e kësaj partie
Gjilan, 5 shkurt- Ndonëse me vendim, dasmat janë të ndaluara, shkaku i masave kundër përhapjes së koronavirusit, sallat po shërbejnë për tubime zgjedhore të partive politike. Një tubim i tillë është mbajtur të premten në Koretin të Kamenicës nga Partia Demokratike e Kosovës.
Përkrahësit e kësaj partie po prisnin nën rrezet e diellit bartësin e listës, Enver Hoxhaj dhe anëtarët e tjerë, që u vonuan rreth 20 minuta. Derisa brenda sallës së dasmave po bëheshin përgatitjet e fundit, telashet më zërim u bënë të dukshme. Dikur, kur u dha sinjali që drejtuesit e PDK-së ishin afër të arrinin, të gjithë ia mësynë të hynin brenda e të uleshin në karrige. Me të mbërritur, Hoxhaj nisi t’i përshëndesë të pranishmit e këtë radhë ishte përkujdesur që ta vinte maskën. Megjithatë, atë nuk e mbajti për shumë kohë. E hoqi me t’u ulur në ulëse. Afër tij tashmë kishin zënë vendet e tyre edhe kandidatët për deputetë të kësaj partie. E para që mbajti fjalimin ishte Jona Arifi, kandidatja më e re në moshë e PDK-së. Ndonëse zëri i saj nuk dëgjohej deri në fund të sallës, shkaku i mungesës së altoparlantëve, ajo u përkujdes që të kërkojë vota për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Arifi nuk harroi t’i përmendte edhe dy ish-krerët e kësaj partie, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, që janë në Hagë. “Ata janë në burg në Hagë, janë atje për të ardhmen tonë, janë për ne”, është shprehur ajo teksa ka shpalosur një pjesë të programit të PDK-së.
Premtime për një të ardhme më të mirë e për përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Kamenicës, kanë dhënë edhe kandidatët e tjerë për deputetë nga kjo parti, e që ishin nga kjo anë.
Por, jo të gjithë qytetarët ishin të vëmendshëm për t’i dëgjuar fjalimet. Disa prej tyre, teksa kandidatët po flisnin, e shfrytëzonin kohën të bisedonin dhe të qeshnin së bashku me shokët e tyre. Edhe në këtë tubim u përmend Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Si tha bartësi i listës së PDK-së, çdo votë për këtë parti është votë për UÇK- në. Hoxhaj tutje ka thënë se kanë paraparë 500 milionë euro mbështetje për ndërmarrjet e vogla, të mesme e të mëdha, për ta tejkaluar krizën e shkaktuar nga pandemia.
“Ne për ndërmarrjet e vogla, për ndërmarrjet e mesme dhe për ndërmarrjet e mëdha e kemi ndarë një buxhet, i cili e kap shumën prej 500 milionësh. Një fond prej 500 milionë eurosh, ku ne do të ndihmojmë të gjitha ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha, në formë të grantit. Granti sjell mjete që nuk kthehen prapa, me qëllim që këta realisht të zhvillojnë ekonominë tonë, me qëllim që këta të rrisin ekonominë tonë. Ne nuk mund të rrisim territorin tonë, por ne mund të rrisim ekonominë, mirëqenien tonë dhe të krijojmë vende të reja të punës”, ka thënë ai.
Kandidati i PDK-së për kryeministër është zotuar se në një qeveri të udhëhequr nga partia e tij, do të ketë rritje pagash dhe pensionesh për të gjitha kategoritë. Teksa ka folur për arsimin, ai ka rikujtuar problemet që kanë pasur nxënësit në këtë komunë.
Pa dhuratë, Hoxhajn nuk e kanë lëshuar simpatizantët nga Kamenica. Ata kishin përgatitur një punim me fotografinë e tij. E në fund të këtij takimi, nuk munguan as fotot mes simpatizantëve e të liderit të partisë.
Rrugëtimin e tij Hoxhaj me kandidatët e PDK-së e vazhduan në Gjilan, ku fillimisht u takuan me përfaqësues biznesesh. Kreu i PDK-së, ka theksuar se synojnë ta rrisin ekonominë dhe të krijojnë vende të reja të punës.
Si kryeministër i ardhshëm, Hoxhaj ka thënë se do të angazhohet për sjelljen e investimeve të huaja në Gjilan.
“Për ne, si Parti Demokratike e Kosovës është me rëndësi të ketë zhvillim të balancuar. Zhvillim i balancuar nënkupton jo gjithherë investimet duhet të ndodhin vetëm në Prishtinë”, është shprehur ai. E vetëm një kat më poshtë, atë e prisnin edhe dhjetëra mësimdhënës, që kishin organizuar takim me të.
Por, për dallim nga takimi me biznese, ku u mbajt distanca mes pjesëmarrësve, ai me mësimdhënësit ishte krejtësisht ndryshe. Në një hapësirë të vogël, gjysma pa maska e pa distancë, ishin mbledhur më shumë se 30 persona. E ndonëse dy zyrtare policore u panë në këtë hapësirë, ato nuk ndërmorën masa ndaj personave që nuk respektonin Ligjin për parandalimin dhe luftimin e COVID.
Partia Demokratike e Kosovës gjatë së premtes ka vazhduar fushatën edhe në Viti.