Ditën e parë të fushatës zgjedhore për garën e balotazhit, Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, e ka filluar me falënderim të qytetarëve. Ai ka bërë thirrje për mbështetje më të madhe në raundin e dytë të garës. Në Prizren, Shaqir Totaj ka prezantuar projektin për parkun e qytetit, kurse në Klinë është premtuar mbështetje për bizneset
Me falënderime për qytetarët, të cilët e kanë mbështetur PDK-në në raundin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit, e ka nisur fushatën e balotazhit kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, teksa ka bërë thirrje që ajo mbështetje të rritet edhe më shumë në raundin e dytë.
“Në tetë komunat ku ne garojmë në balotazh, kandidatët tanë përfaqësojnë vlerat më të mira dhe kanë programet më të duhura. Në Prizren, Vushtrri, Klinë e Malishevë, është rendi që të rikthehen qeverisjet e projekteve të mëdha që sjellin ndryshime rrënjësore dhe hapin perspektivë për secilin, dhe kjo mund të bëhet vetëm me PDK-në....Ashtu siç është e nevojshme dhe tejet e rëndësishme për t’i vazhduar qeverisjet tona shembull e transformuese në Drenas, Kaçanik, Shtime dhe Dragash”, ka thënë kryetari i PDK-së, në video-adresimin drejtuar qytetarëve.
Në Prizren përmes dy pankartave, kandidati për kryetar, Shaqir Totaj, ka prezantuar projektin për parkun qendror të qytetit, i cili sipas tij në të ardhmen do të ketë parking nëntokësor, si dhe terrene sportive. Krahas parkut Totaj u zotua për rregullimin e shtratit të lumit Lumbardhi.
“Është projekt që përbëhet nga një parking nëntokësor, i cili do të ketë diku afro 700 vendparkingje, po ashtu e ka pjesën mbitokësorë që do të jetë e përbërë nga terrene sportive. Ndërsa, brenda parkut kemi të bëjmë me rregullimin e hapësirës, rregullimin e Lumbardhit dhe në këtë mënyrë do të krijojmë një ambient të këndshëm. Me këto projekte tregojmë se ndryshimi po vjen, ndryshimi që kemi prezantuar po vjen konkretisht, ndërsa pas fitores do të kalojmë në fazën e implementimit”, ka deklaruar Totaj.
Për ta mbështetur Totajn, nga Prishtina kishte ardhur deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila kritikoi qeverisjen aktuale, kurse për kandidatin e PDK-së, tha se ai është ndryshimi që i nevojitet qytetit.
“Gjatë këtyre katër vjetëve të fundit kemi parë zhvillim jo të duhur, të mos them degradim të qytetit, i cili nuk i ka hije një qyteti të tillë me vlerë kulturore dhe historike. Andaj këtu jam sot për të mbështetur zotëri Totajn dhe premtuar se ndryshimi po vjen dhe Shaqa po vjen, sepse për të ndodhur ndryshimi duhet ndodhur ndryshimi i vërtetë”, ka thënë Hoxha.
Nën shoqërimin e liderit të partisë kandidati për Komunën e Klinës, Esat Raci, ka vizituar disa kompani lokale ku edhe është zotuar se do t’i përkrahë bizneset, duke i ulur tarifat për ta. Kjo, sipas tij, do të arrihet me formimin e shoqatës së bizneseve të Klinës.
“Kam vizituar pjesën më të madhe të bizneseve të Komunës së Klinës, që me marrjen e mandatit i kam siguruar të gjitha bizneset e Klinës që menjëherë ta formojmë shoqatën e bizneseve të Klinës me të cilat duhet të bisedohet për uljen e tarifave dhe në bashkëpunim me të gjitha bizneset këtë do ta arrijmë në afatin sa më të shpejtë”, është shprehur ai.
Kurse në Drenas, Ramiz Lladrovci u ka premtuar qytetarëve atje miratimin e hartës zonale e cila, sipas tij, do të mundësojë lëshim më të lehtë të lejeve ndërtimore. “Qytetarëve të Drenasit, me hartën zonale të komunës do t’u ofrohet kornizë zhvillimore dhe rregullative përmes të cilës do të caktohen qartë zonat për ndërtim të ulët dhe të lartë, si përgjigje ndaj nevojave dhe kërkesave të qytetarëve. Harta zonale e komunës, po miratohet me transparencë të plotë dhe në partneritet me qytetarët, kështu do të mundësohet lëshimi i shpejtë i lejeve ndërtimore për zonat urbane dhe rurale në ndërtimin e objekteve”, ka thënë Lladrovci.
Kandidatët e tjerë të PDK-së ditën e parë të fushatës në balotazh e kanë filluar me shpërndarjen e video-adresimit të kryetarit të partisë.