Arbëri

Kronika zgjedhore / Hoti zotohet t’i mbështesë veteranët dhe invalidët e UÇK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka organizuar për herë të dytë tubim zgjedhor në Podujevë, komunë në të cilën e humbi pushtetin lokal. Akuzat e kritikat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë pjesë edhe e këtij tubimi në ditën e gjashtë të fushatës zgjedhore.

Si në takimin e parë, ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, u kërkoi llapjanëve të mos e votojnë LVV-në. “Ata këto ditë për të dëshmuar se kush janë po shpërndajnë e lidhin shirita të kuq gjithandej nëpër Kosovë. Po e bëjnë këtë për të treguar se nëse do ta realizojnë ëndrrën e tyre do ta skuqin Kosovën pas 14 shkurtit, por jo, ne nuk do t’i lejojmë. Sikur të realizohej ky iluzion njëmend do të skuqej e izolohej Kosova sipas modelit të vendeve nën diktaturën komuniste të pasluftës së Dytë Botërore, por nuk do të skuqet Llapi e as nuk do të izolohet Kosova”, ka deklaruar Veliu.

Programi katërvjeçar i LDK-së, sipas kandidatit për kryeministër, Avdullah Hoti, i siguron Kosovës zhvillim ekonomik. “Ne kemi plan të qartë për investime prej 4 miliardë eurosh në sektorin publik, prej të cilave 1 miliard euro janë siguruar nga Marrëveshja e Washingtonit. Kemi plan edhe për shëndetësi, ne e kemi riorganizuar shëndetësinë. Sot nuk ka në Kosovë mjek që është pa punë, i kemi fillu specializimet”, ka thënë Hoti.

Ai shtoi se me LDK-në në krye të Qeverisë, Kosova ka nënshkruar dy marrëveshjet më të rëndësishme në 13 vjetët e fundit.

“Ka qenë nderi i jetës sime që në Washington e kemi nënshkruar marrëveshjen më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. LDK ka qenë në krye të Qeverisë kur është nënshkruar MSA-ja. Kjo ndodh, sepse partnerët tanë na besojnë dhe e dinë se ne punojmë për të ruajtur kursin perëndimor të Kosovës”, ka deklaruar Hoti.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, që më parë ka bashkëpunuar me PDK-në e tani është pjesë e listës së LDK-së, i ngatërroi këto dy parti kur doli në foltore.

“ T’i lëmë anash ata e të ecim përpara. Si gjithmonë Podujeva ka treguar se është e Partisë Demokratike... e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh Pacolli.

Nga tubimi në Podujevë, ku u shkelën sërish masat ant-COVID, Hoti shkoi në Obiliq. Këtu Hoti si rrallëherë në këtë fushatë ka përmendur ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai tha se, siç ka bërë gjithmonë, LDK-ja do të vazhdojë t’i mbështesë invalidët e veteranët e UÇK-së.

“Këta që thirren në luftë, këta as nuk kanë bërë luftë, as nuk kanë treguar kujdes as për veteranë, as për luftëtarë e as për askënd. Ne i kemi bërë ato punë, ne i kemi organizuar edhe paqen, edhe rezistencën paqësore, edhe luftën, edhe shpalljen e pavarësisë”, ka deklaruar Hoti.

Kurse në Fushë-Kosovë, Hotin e priti kryetari i Komunës, Burim Berisha. Ai u zotua para Hotit se niveli lokal në bashkëpunim me nivelin qendror të LDK-së do t’i sjellin fitore partisë.

“Ta bëjmë fitoren për të mos ia dhënë askujt lirinë qe e kemi fituar. Pjesa lokale nuk do të japë lirinë e as pavarësinë. Ne në Fushë-Kosovë bëjmë punë për të ndërtuar sistemet, për të mos i lënë të rinjtë të na ikin jashtë, për të zhvilluar ekonominë”, është shprehur Berisha.

Banorëve të Fushë-Kosovës që kanë prejardhje nga Lugina e Preshevës, Hoti u premtoi zgjidhjen e problemit të kamotshëm të dokumentacionit, derisa i kritikoi partitë e tjera se shqiptarët e Serbisë i kanë përdorur vetëm për interesa personale.

“I kanë pritur nëpër zyra dhe ju kanë dhënë fjalë të mëdha. Asgjë konkrete nuk është bërë për banorët shqiptarë të Luginës së Preshevës. Për herë të parë unë kam krijuar në Kryeministri Zyrën për Luginën e Preshevës, e cila nga shtatori i vitit të kaluar do të ketë linjë të veçantë buxhetore për blerjen e librave për nxënësit e Luginës, për financimin e aktiviteteve kulturore dhe për nevoja të tjera”, ka thënë Hoti.

Nga Fushë-Kosova për në Lipjan, Hoti vazhdoi me një shall dhe portret të Ibrahim Rugovës, të cilët ia bëri dhuratë një i moshuar në tubim. Në secilin prej tubimeve me qytetarë nuk janë respektuar kufizimet kundër përhapjes së pandemisë COVID-19. Pjesë e këtyre tubimeve ka qenë vetë ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili vazhdimisht bën thirrje për respektim të masave.