Zhvillim ekonomik e normalitet në qeverisje ka premtuar kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, gjatë vizitave në rajonin e Mitrovicës.
Ditën e pestë të fushatës Hoti e nisi në Vushtrri, ku i siguroi banorët se programi qeverisës i LDK-së do t’ua ndryshojë jetën atyre.
“Duke sjellë asgjë tjetër përveç zhvillim ekonomik, punësim, normalitet në qeverisje. Për një periudhë të shkurtër në Vushtrri janë bërë investime të jashtme që kalojnë 200 milionë euro në energji me erë, në projekte të tjera të minierave”, ka thënë Hoti.
Letra e presidentit amerikan, Joe Biden, përmes së cilës i kërkon Serbisë njohjen e Kosovës Hoti e ka përmendur tubim, ani pse vetë ka thënë se kjo nuk duhet të përdoret në fushatë.
Kurse, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se vetëm LDK-ja ka plan për t’i nxjerrë vushtrriasit nga kriza që ka shkaktuar pandemia.
“Ky plan ka tri elemente themelore: zbritjen e tatimit 25 për qind për qytetarët e Vushtrrisë, ndryshimin e qasjes nga politika e asfaltit në politikën zhvillimore dhe një sërë projektesh zhvillimore mbi 200 milionë euro vlerë investive, me ngrohtoren e Vushtrrisë, me projektin e gazifikimit, parkingjeve publike, me rregullimin e shtratit të lumit Sitnica, projektin e ujërave të zeza”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
Në tubim si rrallëherë në këtë fushatë u shfaq edhe kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, por pa maskë.
Një të tillë nuk pranoi ta merrte nga Xhafer Tahiri, derisa priti dikë tjetër t’ia sillte një maskë të re.
Hoti më pas vizitoi kompaninë e përpunimit të patates “Vipa Chips”, ku pronari i këtij biznesi i kujtoi atij problemet me të cilat përballen.
“Edhe më tutje paguajmë akcizë në naftë për bujqësi, nuk kemi sigurim të kulturave në fushën e hapur, ndërsa si prodhues edhe më tutje nuk trajtohen me ligj humbjet në procesin e prodhimit dhe këto tri kërkesa në të ardhmen duhet të kihen parasysh”, ka thënë Bedri Kasumi, pronar i kompanisë “Vipa Chips”.
Hoti u zotua për realizimin e këtyre kërkesave.
"Ne do të përcaktojmë normativat varësisht prej sipërfaqeve për të hequr akcizën në derivate që përdoret për të punuar dhe kemi gjithashtu pjesë të programit sigurimin e kulturave bujqësore", ka thënë Avdullah Hoti, kandidat për kryeministër nga LDK-ja.
Ai bashkë me Pacollin mbajtën tubim edhe në Mitrovicë, ku kreu i AKR-së e krahasoi Lëvizjen Vetëvendoasje me Partinë Komuniste të Shqipërisë së viteve ‘70.
“Do t’ju lutesha mos iu besoni këtyre matrapazëve, këta janë duke u munduar ta kthejnë Kosovën në vitet ‘70. Ne kemi kaluar ato kohëra dhe e dimë sa të rënda kanë qenë ato, prandaj Kosova nuk ka nevojë për ta, Kosova ka nevojë për njerëz evropianë, të civilizuar, të ditur”, ka thënë Behgjet Pacolli, kryetar i AKR-së.
Sikur në Vushtrri e Mitrovicë, masat anti-COVID u shkelën edhe në tubimet e LDK-së në Drenas e Pejë.