Arbëri

Kroatët e Kosovës

Pakkush i rrah rrugët gjarpëruese, me emra figurash të periudhave të ndryshme të historisë katolike të zonës. Gurgullimës së ujëvarës së vogël poshtë kishës, anën ia merr zhurma e sharrës motorike që pret dru për gjellëtoren e financuar nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë. Kjo është pika e vetme që i bën bashkë rreth 20 kroatët e fundit të Letnicës dhe të fshatrave përreth në Karadak. Pothuajse të gjithë jetojnë të vetmuar. Pak më të lehtë e kanë mbi 160 kroatët e Janjevës. Por kur erdhën dhe pse erdhën kroatët e parë në Kosovë?

Nuk ka kush t’i hapë dyert e shumicës së shtëpive në fshat. Por dihet kush ua vuri drynin para se t’ua kthenin shpinën vatrave që ishin banuar për shekuj me radhë. Me vete kanë marrë edhe kujtimet për gjallërinë e dikurshme. Në ato që mezi po mbahen nuk ka frymë njeriu. Letnica, dikur një prej fshatrave më të gjalla të rrethinës së Vitisë, ngadalë po kthehet në gërmadhë.

Pakkush i rrah rrugët gjarpëruese, me emra figurash të periudhave të ndryshme të historisë katolike të zonës. Gurgullimës së ujëvarës së vogël poshtë kishës, anën ia merr zhurma e sharrës motorike të gjellëtores së financuar nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë. Kjo është pika e vetme që i bën bashkë rreth 20 kroatët e fundit të Letnicës dhe fshatrave përreth në Karadak. Pothuajse të gjithë jetojnë të vetmuar.

“O vëlla, unë jetoj si në burg”, thekson mes lotësh Frrok Gegiq, plaku që jeton vetëm me gruan. Për dekada me radhë, burri i lindur në Vërnakollë, kishte punuar në qytete të ndryshme të Jugosllavisë së dikurshme. Në pleqëri, u detyrua të kthehej në vendlindje që të kujdesej për babanë, tashmë të ndjerë. “Jetoj me qira në Letnicë, se në Vërnakollë nuk mbeti kurrkush”, shton Gegiq në tarracën e restorantit, ku i jepet një bukë dhe një tas gjellë.

Prej shpërthimit të pandemisë, kroatëve të moshuar, ushqimi u jepet me vete.

Kroatët e parë

Të gjithë të intervistuarit thonë se të parët e tyre erdhën nga Kroacia e sotme para shtatë shekujsh, kur minierat e Kosovës po eksploatoheshin nga sipërmarrësit e qyteteve-shtete të territorit të sotëm të Kroacisë.

Muhamet Mala, profesor në Departamentin e Historisë në universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”, thotë se territori i Kosovës së sotme, sikur gjatë antikitetit, edhe në Mesjetë shërbeu si urë e rëndësishme lidhëse për tregtinë ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Ai thotë se bashkëpunimi më i madh nisi në shekullin katërmbëdhjetë. Minierat e Kosovës po eksploatoheshin nga sipërmarrësit e qyteteve-shtete të territorit të Kroacisë së sotme.

“Është interesant se Republika e Raguzës për ta mbrojtur qytetarin e vet, për t’i mbrojtur interesat e tregtarëve të shumtë që i kishte në koloni, e organizoi edhe sistemin konsullor. Prandaj i kishte konsujt që përkujdeseshin për përditshmërinë, për problemet e natyrave të ndryshme që kishin tregtarët e ndryshëm raguzanë, që natyrisht ne po iu referohemi si kroatë”, thekson Mala. “Dhe ata kishin pasuri të shumta të patundshme, objekte të kultit, kisha të ndryshme, mandej kishin në pronësi edhe zgafelle të xehetarëve në të cilat nxirrnin produkte të arit dhe argjendit, sidomos në rrethinën e Novorbërdës, siç njihej atëherë argjendi me gllamë. Dhe ndryshe nga argjendet e zakonshme të bardha, ai ishte në të kuqërremtë për shkak të pjesëmarrjes së madhe të arit”, thekson Mala, i cili ka doktoruar në Kroaci. “Tregtarë raguzanë i hasim me profesione të ndryshme si gëzoftarë, që merreshin me tregti lëkurash, si armëtarë, që tregtojnë armë, apo si rrobaqepës e kështu me radhë”.

Këto zanate të reja do t’i jepnin gjallëri edhe Janjevës, një prej qendrave më të vjetra urbane në Kosovë. Megjithëse, edhe këtu, shumica e kroatëve janë larguar, Janjeva vazhdon të mbetet një prej vendbanimeve më multietnike në vend.

Bashkë nën perandori e mbretëri pushtuese

Ambasadorja kroate në Kosovë, Daniela Barishiq, e ka vizituar disa herë Janjevën. Në oborrin e kishës katolike, “Shën Nikolla”, ku e mirëpret kroati don Mateo, flet edhe për historinë e bashkëpunimit ndërmjet dy popujve.

“Kroatët dhe shqiptarët nga Kosova, si dhe Kroacia dhe Kosova, tradicionalisht kanë marrëdhënie shumë të mira dhe miqësore. Kroatët u transferuan këtu 700 vjet më parë, sepse e dinin se këtu mund të gjenin arsye të mira dhe interes për punën”, thekson Barishiq. “Kështu që 700 vjet më parë ata e dinin se këtu ishte mirë dhe deri sot e kësaj dite kroatët janë këtu. Gjatë gjithë kësaj kohe, besoj se kroatët dhe shqiptarët kishin shumë gjëra të përbashkëta. Këtu kaluan perandori të shumta e mbretëri, dhe ata mbetën këtu së bashku duke ruajtur shtëpitë e tyre”.

Për të, edhe sot është magjepsëse se si kroatët u zhvendosën në Janjevë 700 vjet më parë, duke u bërë mërgata e parë kroate.

Profesori Mala thotë se edhe pas rënies së Kosovës në duar të Perandorisë Osmane, pushtuesit iu dhanë status të privilegjuar tregtarëve të huaj për shkak të përfitimit nga tatimi i tyre në zona të ndryshme. Kisha e përbashkët do të fuqizonte edhe më shumë lidhjen ndërmjet shqiptarëve e kroatëve katolikë.

Asimilimi nëpërmjet fesë

“Bile-bile në kushtet e përndjekjeve qoftë nga kisha serbe, qoftë nga pushteti osman, një pjesë e tyre (shqiptarëve, v.j.) për shkak të pozitës së privilegjuar që kishin pasur edhe tregtarët raguzanë, por edhe pasardhësit e tyre, ndoshta filloi edhe një proces i asimilimit, edhe i shkrirjes, kështu që edhe sot nuk është e çuditshme që deklarojnë ose e kanë deklaruar veten kroatë”, thekson Mala. “Kemi edhe mbiemra, Berishiq, Gashiq, Mazreku e kështu me radhë. Pra është një lloj simbioze që është krijuar në bazë të një elementi të përbashkët, dhe ai element ishte përkatësia fetare. Edhe sot kroatët i hasim në ato zona, në Letnicë, në Vërnakollë, ku elementi katolik ende është shumë i fortë”.

Jeta e Serafin Gashit është e lidhur me fshatrat e përziera fetarisht e etnikisht në rrethinat e Vitisë dhe Lipjanit. Shqiptari katolik u lind e u rrit në Brus, fshat i thellë në rrethinën e Janjevës. Verën e kalon në Janjevë në shtëpinë e njërit nga dy djemtë e tij. Tani jeton në Letnicë, në shtëpinë e së bijës së martuar në Stubllën fqinje.

“Kam jetu në Brus, qaty në Brus të Lipjanit. Qaty kemi rrnu me gja e me tokë. Mas darke lujshim me filxhana, kapuça, kompira të ziem. Katun më katun shkojshim, hajt bir. Një natë te njani, një natë te tjetri. E sot kërkush s’po vjen. Televizorat në vesh, e s’do me të pa a je gjallë a je dekë a”, thekson plaku 82 vjeç në tarracën e restorantit. Në dorë mban qesen me bukë dhe tasin me oriz.

E bija dhe dhëndri ia paguajnë qiranë që ta ketë më të lehtë të shkojë te mjeku. Megjithatë, mezi po i kalon ditët në vetmi. Njëri djalë i jeton në Kroaci e tjetri në Gjermani. “Zor vallah boll, por çka me ba. E kam pasë edhe shoqen, por më vdiq”.

Një jetë në vetmi

Edhe më të vështirë po e ka kroatja Paulina Lençiq, ani pse i ka 11 fëmijë. Të gjithë jetojnë në Kroaci. Jeton fikall vetëm në shtëpinë e gurtë.

“Falë Zotit jam mirë me shëndet. Isha para tre vjetësh në Zagreb, por jam kthyer”, tregon Lençiq në kroatisht, derisa Gashi e bën përkthyesin. “Kam qenë e sëmurë dhe kam qëndruar në spital, por falë Zotit jam mirë. Unë jetoj këtu, ku të shkoj? Ka 32 vjet që më ka vdekur burri. Këtu janë vetëm edhe dy plaka, por janë të sëmura”.

Paulina flet me nostalgji për kohën kur Letnica dhe fshatrat përreth vlonin e ku për të gjithë kishte punë.

“Punonim të gjithë. Ka qenë bukur. Të gjithë e kemi punuar tokën. Merreshim edhe me bagëti. Kështu kemi mbetur gjallë. Tash s’ka kurrgjë. Të gjithë shkuan në Kroaci, por unë jo”.

Për Paulinën dhe Serafinin, rihapja e ambulancës do të ishte lehtësim i madh për pleqtë e fshatit. Atyre u mungojnë edhe hapësirat publike për të ndërruar ndonjë llaf, për shkak se të shumtën e herëve, fjalët e vetme që i ndërrojnë brenda ditës janë përshëndetjet me pronarët e restorantit. Apo kur, tek-tuk, takojnë rrugëve njëri-tjetrin.

Sikurse ata, të gjallë e përshkruan edhe Shin Gjoni, kryetari aktual i Letnicës, atmosferën që po mbretëronte deri në fillim të viteve nëntëdhjetë.

“Këtu ka qenë fabrika e tekstilit, aty kanë punuar afër 400 punëtorë, por kanë punuar edhe në Perëndim në Gjermani, Zvicër, por edhe do kanë punuar edhe në Maqedoni”, thekson Gjoni, shqiptar katolik. Është pronari i dyqanit të vetëm ushqimor në fshat. Mu në sheshin e dikurshëm që një herë në javë kthehej në treg.

“Ka pasur një tregti të madhe. Ka pasur 12-13 shitore, dy-tri kafe, ka qenë edhe pazari, ku çdo të diel është mbajtur. Bile atëkohë, pazari i Vitisë ka qenë i pari, i Letnicës ka qenë i dyti, Pozharani i treti, tash Pozharani ka shkuar larg, janë ba ndryshime të mëdha qysh po e shihni edhe sot”.

Shpërngulja e madhe

Edhe në Janjevë kishte punë për këdo që nuk përtonte t’i përvilte mëngët në zeje që ishin përcjellë brez pas brezi, por me industrializimin e vonuar të Kosovës, edhe në fabrikën metalike. Në njërin prej reparteve të “Metallacit” të dikurshëm, udhëhiqte kryetari i tanishëm i Janjevës, Behxhet Konxheli.

Por gjithçka do të ndryshonte edhe për kroatët e Kosovës, kur në fillim të dekadës së shekullit të kaluar Serbia e nisi prishjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë, me synimin për ta kthyer në një Serbi të madhe.

Gjoni, kryetari i Letnicës, thotë se në rrethinë dikur jetonin rreth gjashtë mijë banorë, shumica kroatë. “Mirëpo kur kërciti lufta Kroaci-Serbi, kanë nisë me u shpërngul, se disa kroatë të këtuhit kanë marrë pjesë atje në luftën e Kroacisë, dhe këta, pushteti serb, atëherë ka nisë e i ka malltretu. Menjëherë i ka zbulu që kanë marrë pjesë atje - janë kanë nja 32 që patën shku”, thekson Gjoni para shtëpisë së tij, derisa përshëndetet me Hriston, një tjetër kroat plak që fëmijët i shkuan në Kroaci.

“Filluan me shku me të madhe, dhe 90 për qind kanë shkuar para lufte. Një pjesë patën mbetur, nja 200-300 veta patën shku mas luftës së Kosovës. Patën mbetë nja 50-60 veta, por edhe ata, do kanë dekë, do kanë ecur, e qështu”, thotë Gjoni.

Paralajmërimet dhe kërcënimet e drejtpërdrejta gjatë vizitës së kriminelit të luftës, Vojislav Sheshel, do ta përshpejtonin shpërnguljen e kroatëve nga Janjeva e fshatrave malore të rrethinës së Vitisë.

Profesori Mala thotë se, natyrisht, tensionet ndërmjet ish-republikave jugosllave do të reflektonin edhe te kroatët e Kosovës, sidomos pas vitit 1991 kur filluan luftërat në ish-Jugosllavi. “Atëherë presioni i serbëve, duke i konsideruar kroatët si popullatë armiqësore, rënia ekonomike e Kosovës, dhe kështu kemi një shpërngulje masive të kroatëve nga territori i Janjevës, por edhe të shqiptarëve të besimit katolik në Kroaci dhe sot besoj – ju mund ta dini më mirë – kanë mbetur fare pak, kryesisht të moshuar dhe njerëz që nuk mund të shpërngulen”, thekson Mala.

Në luftën e Kroacisë morën pjesë edhe shumë ushtarë të thjeshtë e ushtarakë shqiptarë me grada të larta.

“Kur Janjeva ishte qytet, Londra nuk ka ekzistuar fare”

Në Janjevë, në faltoren ku nën udhëheqjen e priftit kroat, katolikët e dy etnive të ndryshme luten për paqe, ambasadorja Barushiq thotë se shqiptarët dhe kroatët e Kosovës, pos për bashkëjetesën e tyre paqësore, historikisht janë shquar edhe për mbrojtjen e përbashkët kundër pushtuesve.

“Këta (shqiptarët dhe kroatët e Kosovës v.j.) është dashur t’i kundërshtonin ata që donin të vinin në vendin e tyre, të cilët donin t’i pushtonin, por kroatët dhe shqiptarët nga Kosova mbetën këtu sigurisht duke luftuar së bashku kundër të gjithë atyre që donin t'i dëbonin ose t'i okuponin”, thekson diplomatja Barishiq.

Martesat e përziera të dy etnive të ndryshme me fe të njëjtë e kanë fuqizuar edhe më shumë lidhjen ndërmjet janjevasve që krenohen për historinë urbane. E këtu, edhe më bindshëm ta përmendin shprehjen “Kur Janjeva ishte qytet, Londra nuk ka ekzistuar fare”, derisa flasin për të kaluarën e pasur të vendbanimit të përzier.

“Ne jetojmë bashkë pa ndonjë problem”, thekson Bislim Berisha, banor i Janjevës.

Megjithatë, ndryshe nga Letnica, kroatët e këtushëm nuk pranojnë assesi të flasin para kamerës. E kthejnë shpinën ose ndërrojnë rrugë derisa kolegu Shemsi Igrishta xhiron rrugëve të ngushta.

Prapa kamerës, kroatët e intervistuar, sidomos të moshuarit, thonë se ka thyerje të shtëpive.

Ambasadorja Barishiq ka adresuar shqetësimet e janjevasve tek institucionet e Kosovës.

“Një nga gjërat që unë dua të falënderoj Qeverinë e re të Kosovës, veçanërisht ministrin e Brendshëm, i cili dëgjoi problemet me të cilat përballen kroatët në Janjevë, dhe kanë shtuar numrin e policëve në Janjevë për të ndihmuar që të gjithë banorët e Janjevës të ndihen shumë më të sigurt”, thekson ajo, duke e vlerësuar këtë si hap të mbarë. Ajo mendon se në Janjevë duhet të investohet më shumë në shërbime elementare infrastrukturore, si mirëmbajtja e rrugëve, ujit të pijes, kanalizimit e mjedisit.

Për Janjevën qytet-muze

Kosova ende nuk ia ka dalë ta shtrijë dorën e saj në krejt objektin e shkollës së Janjevës. Kati me program të Kosovës mban emrin Shtjefën Gjeçovi, derisa në tjetrin me program të Serbisë e mësimdhënës serbë e kroatë, mësojnë nxënësit kroatë. Fëmijët ndjekin mësimin sipas përcaktimit të prindërve.

Ambasadorja thotë se më e rëndësishme është që arsimimi të jetë i mirë dhe që fëmijët të kenë qasje në të pavarësisht kombësisë së tyre. Për të, parësore është që t’i përgatisë fëmijët për arsim të mëtejshëm dhe treg të punës.

Barishiq beson se Janjeva, komunë deri në fund të viteve pesëdhjetë, mund të kthehet në një qytet-muze, atraktiv për turistët.

“Këto shtëpi këtu sigurisht që kanë vlerën e tyre kulturore dhe arkitektonike. Këtë e kanë parë jo vetëm shteti kroat ose kroatët që jetojnë në Janjevë, por gjithashtu u njoh nga UNDP-ja dhe Bashkimi Evropian, kështu që nga fondet e UNDP-së dhe IPA-së (këto janë fondet e zhvillimit të Bashkimit Evropian), po bëhen projektet për të restauruar dhe ruajtur këto shtëpi”, thekson ajo, duke shprehur shpresën se bashkë me shpresën do të ngjallej turizmi kulturor. Thotë se Janjeva gjatë shtatë shekujve të historisë së saj, gjithnjë ia ka dalë mbanë.

Në Letnicë, shumë shtëpi të vjetra të kroatëve, që i kanë blerë shqiptarët e rrethinës ose refugjatët e luftës së vitit 2001 në Maqedoni, janë kthyer në stalla e ahurishte.

Njëfarë gjallërie kthehet në fshat muajve të verës, sidomos në mes të gushtit, kur pasardhësit i kalojnë disa ditë me kroatët e fundit të Letnicës.

Por edhe atëherë, Frrok Gegiqit dhe bashkëshortes së tij pakkush ua hap derën e shtëpisë. Nuk kanë fëmijë. Burrë e grua e mbijetuan COVID-in, por mërzia për vdekjen e babait, Frrokut, po ia rëndon shpirtin. E kishte edhe shok. Tani, ditët po i plak vetëm me plakën që rrallëherë del jashtë shtëpisë. Duke u mbajtur me dorën e djathtë për bastuni, e me qesen e bukës dhe tasin e orizit në dorën tjetër, Frroku lëshohet teposhtë për shtëpi. Ndryshe prej pleqve të tjerë, së paku ka kush e pret te shtëpia.